Qeveria e Kosovës aprovon projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit
Transmetuar më 26-03-2019, 15:00

Qeveria e Kosovës ka aprovuar projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit. Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se me këtë projektligj ndalohen të gjitha lojërat e fatit, përveç Lotarisë së Kosovës.

“Qëllimi i hartimit është zbatimi i rezolutës së Kuvendit të Kosovës me të cilën kërkohet nga qeveria ti nis procedurat ligjore për ndalimin deri në miratimin e ligjit për lojërat e fatit. Me këtë projektligj ndalohen të gjitha lojërat e fatit përveç Lotarisë së Kosovës,“-tha Haradinaj.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ditë më parë një rezolutë të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku ishte kërkuar pezullimi i aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit si dhe plotësim/ndryshimi i ligjit përkatës.

Kjo rezolutë që mori mbështetjen e 74 deputetëve, përveç pezullimit të aktivitetit të lojërave të fatit, kërkoi nga Qeveria që të sjellë një ligj për t’i ndaluar ato.