Transmetuar më 28-03-2019, 02:46

Djali adoleshent i zv.ministrit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Bashkim Krasniqit, u sulmua ditën e djeshme kur po kthehej në shtëpi nga shkolla nga një tjetër i ri. 16-vjeçari ishte me shokët dhe shoqet, por për njërën prej tyre ndodhi edhe konflikti që përfundoi me thika dhe grushte.

Autori i identifikuar si Përparim Dugova e akuzoi 16-vjeçarin se i kishte ngacmuar të dashurën dhe u përlesh me të.

Djali i zv.ministrit u sulmua me thikë dhe mori dëmtime të lehta në trup, por theu dorën. Sherri përfundoi falë ndërhyrjes së kalimtarëve, por policia e Kosovës vuri në pranga 3 persona.

Zv.ministri Krasniqi i tha “Gazetës Express” versionin e tij. “Djemtë janë të moshës 15 dhe 16-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur unë isha në punë. Sulmuesi e ka sulmuar djalin tim me çykë (majë) të thikës. Me të parë rastin, disa komshinj kanë ndërhyrë për t’i ndarë pjesëmarrësit në incident”, tha ai, duke shtuar se e njeh autorin si person problematik.

“Sulmuesi njihet si djalë problematik. Arsyeja e sulmuesit ishte shumë banale. Rasti ka ndodhur kështu: pasi djali im me disa shokë dhe shoqe janë kthyer në shtëpi nga shkolla, sulmuesi e ka sulmuar djalin tim me arsyetimin se ky i ka ngacmuar të dashurën edhe pse djali im e ka mohuar një gjë të tillë duke i treguar se e ka shoqe të shkollës. Edhe pas ndërhyrjes së komshinjve, sulmuesi ka tentuar përsëri që konfliktin ta vazhdojë në shtëpinë time. Si rezultat i incidentit djali im ka dorën e thyer dhe ka dëmtime në qafë”, deklaroi ai.