Kosova ndalon me ligj lojërat e fatit, grusht për bizneset e Shqipërisë që u transferuan atje
Transmetuar më 30-03-2019, 01:17

Pas Shqipërisë edhe Kosova ndalon me ligj lojërat e fatit, por për 10 vjet

Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten me procedurë të përshpejtuar ligjin që ndalon lojërat e fatit për 10 vjetët e ardhshme.

Ligji u miratua pak kohë pasi që dy persona u vranë në dy kazino në Kosovë, gjatë plaçkitjeve të armatosura.

Ligji shkatërron edhe bizneset e lojërave të fatit nga Shqipëria.

Disa prej tyre e kishin shtrirë aktivitetin edhe në Kosovë dhe disa të tjerë i transferuan atje aktivitetet e tyre të lojërave të fatit pasi në 31 dhjetori ato u mbyllën në Shqipëri.

Gjatë votimit në Parlamentin e Kosovës, gjithsej 69 deputetë votuan në favor të këtij ligji, i cili u kritikua nga një pjesë e ligjvënësve, që pohuan se një zhvillim i tillë do të nxisë veprimtaritë e tilla në rrugë të paligjshme.

Lojërat e tilla qenë shtuar shumë gjatë dhjetë viteve të shkuara dhe shoqatat e tyre thanë se ato punësonin 4 mijë veta, që tash do të mbeten të papunë.

Miratimi i ligjit u parapri nga miratimi i një rezolute të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën kërkohej pezullimi i veprimtarive të lojërave të fatit.

Kosova e cila shpalli pavarësinë më 2008, është vendi më i ri dhe më i varfër në Evropë, me një shkallë të lartë të papunësisë dhe me shkallë ende të ultë të investimeve.