Transmetuar më 02-04-2019, 17:30

Sprovat për liri dhe drejtësi janë përpjekjet e përjetshme e të gjithëve ne që nuk aplikuam për Llotari Amerikane e as nuk patëm guximin për të çarë ujërat apo malet. Por ma besoni miq, duhet guxim i shumëfishtë, i përditshëm, për të ndenjur në Shqipëri, për të punuar, për t’u përpjekur për të mirën dhe gjërat e drejta për të cilat njeriu rron dhe ndan me të tjerët

Nga Arlinda Çausholli

Para 5 vitesh unë pata shkruar një letër për Elivar Golemin, një mikeshën time të mirë, që asokohe kryente funksionin e Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë.

Ishte një letër mendimi, mbështetjeje dhe solidariteti për të, për mënyrën e padrejtë që rrodhën ngjarjet dhe vijëmsinë që grabitja e Bankës së Shqipërisë, pati. A ishte ngjarje e rëndë? Pa dyshim. A u trajtua në mënyrë të paanshme dhe me drejtësi? Aspak.

Tani Elivar Golemi është fatmirësisht në pozita që mund ta mbrojë veten për mrekulli, dhe është e bekuar për gjithë forcën e hijshme që ka.

Ndonëse është akuzuar pa asnjë provë, Gjykata e Apelit e quajti dje si fajtoren e vetme që u vodhën 7 miliardë lekë më 2014.

Për ata që nuk e dinë, Eli nuk kishte përgjegjësinë e sigurisë dhe nuk kishte as çelësa, madje duhet të pajisej me leje që të hynte në mjedisin ku mbaheshin paratë.

Kishte vetëm shkresa që raportonte rregullisht. Por u vulos si fajtorja e vetme që kishte shpërdoruar detyrën, pavarësisht se u mundua të shpjegonte para togave shumë të zeza (në sytë e mi), se auditimi ka efekt prapaveprues e kontrolli i brendshëm në një bankë është gjë tjetër.

Golemi u shpall fajtore në letër pas 50 seancave gjyqësore të stërzgjatura, por në shpirt është e qetë, sepse fundja ndërgjegjja është ligji i vetëm që mbretëron tek njeriu.

Unë u trishtova sepse drejtësia është në hapat më të çalë që mund të ekzistojë në Shqipëri dhe njeriu i drejtë e ka të vështirë të çmohet dhe të gjykohet në një vend ku idealet për ta dalluar drejtësinë mungojnë, dhe zilia është kryefjala kryesore e jetës sot.

A ligështohem? Pak po.

Më vjen keq për të ardhmen e përbashkët të gjithë atyre që punojnë me nder dhe ndihmojnë pa fre. Më vjen keq për brezin e ri, që pret të rritet i shëndetshëm në një kënetë ku as bretkosat nuk rrojnë, porse veç bari pa ngjyrë, që nuk lëviz dhe peshon nga shëmtia.

Sprovat për liri dhe drejtësi janë përpjekjet e përjetshme e të gjithëve ne që nuk aplikuam për Llotari Amerikane e as nuk patëm guximin për të çarë ujërat apo malet. Por ma besoni miq, duhet guxim i shumëfishtë, i përditshëm, për të ndenjur në Shqipëri, për të punuar, për t’u përpjekur për të mirën dhe gjërat e drejta për të cilat njeriu rron dhe ndan me të tjerët.

Përpjekjet me zemër për drejtësinë, për lirinë e brendshme, për solidaritetin nuk zbehen as tek unë, as te miqtë e mi. I ndriçon tjetër diell, ku ka veç një stinë. Pranverën.