Transmetuar më 02-04-2019, 17:33

“Mirë se erdhe shoku im”, ishin fjalët e para me të cilat kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev priti homologun e tij nga Greqia, Alexis Tsipras para ndërtesës së Qeverisë në Shkup. Ishte kjo vizita e parë pas afër 3 dekadave që një zyrtarë i lartë i Greqisë realizoi vizitë në Shkup.

Vizita pason marrëveshjen për emrin të cilën e kanë miratuar tashmë si Shkupi ashtu edhe Athina, me të cilën shteti që doli nga ish-Jugosllavia me emrin Maqedoni, pranoi që emri i saj të jetë Maqedonia e Veriut, pas kontestimeve të vazhdueshme që kishte me Greqinë.

Gjatë konferencës së përbashkët, kryeministri grek Tsipras e ka cilësuar si historike vizitën e tij në Shkup.

“Ne jemi këtu për të gjetur zgjidhje dhe për të shikuar përpara, të shohim drejt ardhmërisë. Ti largojmë nyjet, të ndërtojmë ura në vend të mureve. Mbrëmë Papa deklaroi se ata që ndërtojnë mure, gjenden vetë si të burgosur në ato mure, kurse ata që po përpiqen të rrënojnë muret ata po ndërtojnë ura. Gjithsesi ne mësojmë nga historia, por edhe krijojmë historinë tonë, ky është vizion kyq për Evropën dhe Ballkanin”, tha Tsipras.

Ai siguroi edhe një herë se Greqia do të mbështes Maqedoninë e Veriut deri në anëtarësimit e plotë në NATO dhe BE, duke theksuar se implementimi i Marrëveshjes mes dy vendeve është me rëndësi jetike. “Sipas meje e rëndësishme për ardhmërinë e dy vendeve është krijimi i institucioneve që do të kenë kontakte dhe do të mundësoje implementimin e marrëveshjes së Prespës”.

Në pyetjen e gazetarëve në lidhje me atë se cila është strategjia e dy kryeministrave për të bindur ata që mendojnë ndryshe për Marrëveshjen e Prespës, Tsipras tha se me kalimin e kohës pas përfitimeve të shumta që do të kenë qytetarët e dy vendeve do të binden se kjo marrëveshje sjell vetëm të mira.

Njëjtë është përgjigjur edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut në pyetjen e Gazetarit Grek se si do të realizoni Marrëveshjen e arritur, që të dy kryeministrat e vendeve ishin të vedosur në bashkëpunim, përparim, bashkëpunim strategjik dhe pohuan se gjithsecili duhet të ketë të qartë se Marrëveshja do të implementohet deri në pikën e fundit.