Transmetuar më 05-04-2019, 15:06

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është i gatshëm të futen në dialog me opozitën, pas kërkesës pak më parë të Bashkimit Evropian, por shtoi se bisedimet duhet të fokusohen vetëm në reformën zgjedhore.

Z.Rama reagoi pasi delegacioni i BE, pati sot një takim me drejtuesit e opozitës shqiptare.

Zyra e delegacionit të Bashkimit Europian, doli me qëndrim pas takimit. Genoveva Ruiz Calavera, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, tha se “është koha që të dyja palët politike të bëhen bashkë për të mirën e përgjithshme të vendit”.

Calavera bëri thirrje që të kapërcehet kriza për të mirën e vendit dhe kjo duhet të arrihet me dialog. Deklarata erdhi pasi Calavera, siç tha, takoi përfaqësuesit e partive opozitare për të shkëmbyer pikëpamjet lidhur me situatën politike para raportit vjetor të Komisionit Europian.

Në reagim ndaj BE, z.Rama tha se është “plotësisht dakord me delegacionin e BE kur thotë se është koha që palët të dialogojnë!”.

Por menjëherë më pas, vë kushte për këtë tryezë: “Reforma Zgjedhore, vota e emigrantëve, votimi/numërimi elektronik, penalitetet e reja për shitblerjen e votës, duhet të na bëjnë bashkë. Kush iku nga Kuvendi, ka ende vend në tryezën e reformës me status të barabartë!”, – shprehet Edi Rama, duke përjashtuar kështu kërkesat kryesore që ka opozita për t’u ulur në tryezë negociatash, dorëheqjen e tij, krijim të një qeverie transitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Nga diplomacia ndërkombëtare, ditët e fundit shihet një tërheqje e Bashkimit Europian. Deri dje, zyrtarët e saj në mënyrë të vazhdueshme kishin dënuar veprimet e opozitës, sidomos djegien e mandateve dhe kishin theksuar se mazhoranca është legjitime në vijimin e punës së saj dhe se në zgjedhje mund të hyhet edhe pa opozitën.

Deklarata e sotme e delegacionit të BE dhe e zonjës Calavera që bën thirrje për dialog duke mos përmendur kushte, është dukshëm një tërheqje nga deklaratat e mëparshme. /noa.al/