Loading...
Grabitja në Rinas, Balluku: U cenua siguria! Koha ka mbaruar
Transmetuar më 11-04-2019, 10:57

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku doli me deklaratë lidhur me grabitjen e kësaj të marte në aeroportin e Rinasit, ku u vodhën rreth 10 milionë euro dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vrarë një nga të dyshuarit, Admir Murataj.

Balluku e cilësoi si një rast të përsëritur duke thënë se është cenuar siguria kombëtare.

Sipas saj masat e sigurisë së marra nga koncensinari nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Ajo shigjetoi koncesionarin e aeroportit “Nënë Tereza”, duke thënë se kontrata ka penalizuar shtetin shqiptar dhe ka mangësi të theksuara.

“Kemi qenë të kujdesshëm për të mos marrë masa ekstreme, por koha ka mbaruar”, deklaroi ministrja.

Ndër të tjera shtoi se koncensionari ka shkelur kontratën dhe të gjitha kritikat e bëra nga qeveria, kanë rënë në vesh të shurdhër.

Ministrja paralajmëroi masa të forta, duke thënë se limitet janë kapërcyer dhe se kompania ka dëmtuar imazhin e vendit.

Për ministren, e vetmja gjë që di të bëjë koncensionari kinez është hapja e parkingjeve.

Balluku deklaroi se ngjarja nuk pritej, duke pasur parasysh se rasti vjen i përsëritur.

Ministrja deklaroi se masat e kërkuara pas grabitjes së vitit 2016 kanë rënë në vesh të shurdhët dhe se koncensionari kinez nuk ka përmbushur kushtet e sigurisë, “Kemi besuar te dialogu por limetet janë kapërcyer. Koha mbaroi”. /a.y/noa.al/

Deklarata e plotë

Për shkak të vizitës zyrtare në Berlin e kam pasur të pamundur komunikimin direkt me ju, përsa i përket situatës së rëndë në të cilën Aviacioni Civil është vendosur.

Ngjarja e 9 prillit është një ngjarje e përsëritur, por fatkeqësisht edhe më e sofistikuar nga keqbërësit në krahasim me herët e tjera, çka sjell cenimin e sigurisë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare pasi Aviacioni Civil nuk ka kufij.

Gjendem këtu sot për të përsëritur e nënvizuar qëndrimin dhe vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë, një problem madhor të cilin e kemi trajtuar me kujdes dhe konform të gjitha normave dhe rregullave që Aviacioni Civil kërkon.

Fatkeqësisht gjetjet dhe detyrat që i janë lënë kompanisë koncesionare dhe këtu po i referohem vetëm periudhës  nga korriku i vitit 2016, pas grabitjes së parë në pistën e këtij aeroporti, kanë rënë në vesh të shurdhër.

Masat e marra kanë qenë gjithmonë sipërfaqësore dhe të pamjaftueshme, masat e marra nga koncesionari i TIA kanë qenë për të kaluar radhën e për të vazhduar qetësisht vjeljen e kësaj kontrate të gabuar që në gjenezën e saj, kontratë kjo që nuk i ka lënë hapësirë shtetit shqiptar për të penalizuar kompaninë kineze dhe për ta bërë atë përfundimisht të ndërgjegjshme për dëmin që i ka krijuar Shqipërisë në të gjitha aspektet, financiar, sigurinë kombëtare dhe padyshim dëmtimin e imazhit.

Imazhin që kemi ngritur me mund e përpjekje, për ta kthyer vendin tonë në një destinacion turistik, përpjekje të cilat kanë sjellë rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve e vizitorëve dhe si rrjedhojë rritjen e të ardhurave vjetore për aeroportin gjithashtu.

Por këto të ardhura së bashku me taksën për pasagjer prej 3 eurosh, që kompania koncesionare vjel, nuk u përdorën kurrë për investime serioze në shërbim të pasagjereve e s’po ndalem sot në detaje të kushteve të munguara në këtë aeroport, të vetmin aeroport ndërkombëtar për momentin, pasi kutia e Pandorës është hapur tashmë e do të kemi kohë plotë për të sqaruar mungesën e kushteve dhe detyrimeve për cilësinë e shërbimeve që kompania nuk plotëson.

Këto të ardhura nuk janë përdorur as për të rritur sigurinë e aeroportit ashtu si i është kërkuar zyrtarisht dhjetëra herë nga organet mbikëqyrëse. I vetmi investim që kompania kineze ka për zemër janë parkingjet, t’i shtoj ata dhe të vjel fitime të lehta, duke harruar se kush është objekti kryesor i sipërmarrjes së tyre në Shqipëri.

Dje u bëmë të gjithë dëshmitarë të një deklarate publike patetike ku i bëhej thirrje shtetit për diskrecion e qetësi, ku na u tha se aeroporti është i të gjithë shqiptarëve. Aeroporti bëhet çuditërisht i të shqiptarëve ditën kur koncesionari dhe manaxhmenti pehlivan ka nevojë për mbrojtje, publike dhe ligjore.

Flamujt kinezë që valëviten në hyrjen e Shqipërisë, se i tillë është një aeroport ndërkombëtar, hyrja e çdo vendi, të bëjnë një moment të mendosh se mos ke zbritur në Pekin.

Qindra mesazhe marr unë çdo ditë si ministre nga qytetarë të indinjuar për atë pamje aspak të këndshme. Por dhe kjo ka rënë në vesh të shurdhët.

Për cilin diskrecion dhe profesionalizëm flet sot kompania kineze, kur tashmë ka humbur totalisht kredibilitetin e kryerjes së funksionit të cilin i ka dhënë kontrata koncesionare ?

Cilat kushte ka përmbushur koncesionari kinez?

Ato të sigurisë?

Atëherë si ka mundësi që për herën e disatë keqbërës arrijnë lehtësisht deri në shkallët e avionëve të mbushur plot e përplot me pasagjerë.

Cilat kushte keni plotësuar ju zotërinj?

Edhe djali që kishte ardhur për herë të parë në Tiranë, me një palë pinca arriti të priste rrethimin e aeroportit e të gjendej në shkallët e avionit.

Ne kemi besuar tek dialogu, mirëkuptimi dhe nuk kemi dashur të krijojmë kosto të asnjë natyre me veprime ekstreme.

Tani boll! Limitet janë kapërcyer, ju keni shpërdoruar këtë koncesion në mënyrën më brutale, duke cenuar sigurinë tonë kombëtare dhe duke dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Koha ka mbaruar.

Loading...
Loading...