Transmetuar më 12-04-2019, 02:30

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku edhe një herë ka sulmuar ashpër firmën “China Everbright ltd” koncesionarin që administron Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pas grabitjes të së martës.

“Si ka mundësi që për herën e disatë keqbërësit arrijnë lehtësisht deri në shkallët e avionëve? Ne kemi besuar te dialogu, por tani boll më. Keni shpërdoruar këtë koncesion në mënyrën më brutale, duke cënuar imazhin e Shqipërisë. Koha ka mbaruar!” tha ministrja Balluku para gazetarëve në Rinas.

Sipas saj kontrata koncesionare ka qenë gjithmonë problematike ç’ka ka ndikuar në çmimet e kripura për udhëtarët.

“Nuk kam folur për masa ekstreme, por sigurisht situata kërkon zgjidhje imediate”, – tha ministrja.

Ministrja përgjegjëse për sigurinë aeroportuale megjithatë nuk ka dhënë një shpjegim se çfarë mund të bëhet me kontratën koncensionare të regjistruar në parajsat fiskale, e vendosur në Hong Kong dhe që vepron ndërkombëtarisht sipas ligjeve të shtetit të Singaporit.

Shoqëria e mësipërme menaxhon me koncesion aeroportin Tirana International Airport, nga tetori i vitit 2016.

Zonja Balluku ka mbrojtur policinë e shtetit e cila sipas saj ka reagar shpejt.

“Nuk e prisnim që kjo ngjarje të përsëritej, megjithatë shteti ka qenë i vëmendshëm dhe reagimi i policisë ka qenë brenda sekondash, se përndryshe do kishim pasur të njëjtën histori dhe personi që u vra gjatë aksionit do të na rikthehej brenda gjashtë muajsh” tha Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.