Loading...
Tsipras publikon takimin me Edi Ramën në Dubrovnik
Transmetuar më 12-04-2019, 12:58

Kryeministri i Greqisë publikoi sot një informacion të shkurtër dhe pamje nga takimi që ai pati me homologun shqiptar Edi Rama.

Z.Tsipras njoftoi se pati një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të Samitit të Tetë Ekonomik 16+1 të Ballkanit Perëndimor me pjesëmarrje edhe të Kinës.

“Zhvillova një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të punimeve të Takimit të kryetarëve të shteteve të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore dhe Republikës Popullore të Kinës”, – thotë z.Tsipras në mesazhin që shoqëron foton e para pak minutave.

Në takim, kryeministri Rama shoqërohej nga drejtori i Kabinetit të Kryeministrisë për Komunikimin, Endri Fuga.

Z.Tsipras nuk ka dhënë asnjë detaj mbi çështjet e trajtuara në takim.

Gjithashtu nuk ka dhënë ndonjë informacion se cili ishte rezultati i këtij takimi dhe nëse më në fund do të kemi një vizitë të Tsipras në Shqipëri apo Ramës në Athinë.

Dy kryeministrat nuk kanë shkëmbyer kurrë vizita në vendet përkatëse qyshkur janë zgjedhur në këto detyra prej disa vitesh.

Rama dhe Tsipras janë takuar disa herë gjatë këtyre viteve, vetëm në kuadër të samiteve në vende të ndryshme të SHBA dhe BE.

Rama dhe kabineti i tij nuk kanë nxjerrë asnjë njoftim mbi takimin që u zhvillua sot me z.Tsipras. /noa.al/

Loading...
Loading...