Loading...
Kryeministri Haradinaj emëron Adriana Hoxhiqin ministre të Pushtetit Lokal
Transmetuar më 13-04-2019, 00:08

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, njoftoi se ka emëruar Adriana Hoxhiqin në postin e ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Hoxhiq paraprakisht mbante pozitën e zyrtares ekzekutive në administratën e Komunës së Mitrovicës Veriore.

"Sot emërova Adriana Hoxhiq, ministre të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila shquhet për angazhimin e saj për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës", tha Haradinaj.

Ky emërim vjen pas shkarkimit nga detyra të ministrit të Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, vendim të cilin e mori kryeministri Haradinaj pas disa komenteve të bëra nga Teodosijeviq lidhur me masakrën e Reçakut.

“Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë", kishte thënë Haradinaj.

Në Zveçan, gjatë një organizimi për të shënuar 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, përfaqësuesi i Listës Serbe, Ivan Teodosijeviq, ka thënë se arsye për “agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Lista Serbe e quajti presion ndaj serbëve shkarkimin e zyrtarit të saj.

“Po vazhdon presioni i liderëve shqiptarë mbi popullin serb dhe Listën Serbe. Vendimi për ta shkarkuar, për shkak se ka thënë një të vërtetë, është dëshmia më e mirë se Prishtina nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën”, thuhej në reagimin e Listës Serbe.

Loading...
Loading...