Transmetuar më 16-04-2019, 13:27

Në një kohë që opozita vijon protestat pas djegies së mandateve të deputetëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon punën përgatitore për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Kështu ditën e sotme kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri takoi ambasadorin e Italisë, Alberto Cutillo.

Qëllimi i takimit ishte zhvillimi i një bisede informuese rreth aktualitetit dhe përgatitjeve që KQZ po bën për procesin zgjedhor të datës 30 qershor 2019.

Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo shprehu mbështetjen për zhvillimin e zgjedhjeve vendore transparente, demokratike dhe me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike.

Ky qëndrim i ambasadorit vjen teksa opozita deri më tani nuk ka bërë asnjë hap për hyrjen në zgjedhjet lokale.

Ndërkohë me valën e protestave kërkohet largimi i Kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. /a.y/noa.al