Transmetuar më 16-04-2019, 13:44

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të dalë para gjykatës si i pandehur, më 19 qershor.

Ditën e sotme është caktuar data e seancës së parë për ish-ministrin, i cili do të ulet në bankën e të akuzuarve.

Dosja e tij do të gjykohet nga treshja e gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.

Procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit po zhvillohet me gjykim të shkurtuar me kërkesë të vetë Tahirit, i cili pretendon pafajësinë.

Por në rast se provohet e kundërta dhe nëse do të ketë një dënim ndaj tij, ish-ministri për shkak të procedurës së shkurtuar, do të përfitojë uljen e 1/3 së dënimit.

Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Më 26 mars, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të nisë gjykimin ndaj ish-ministrit duke mos pranuar pushimin e çështjes.

Mbyllja e hetimeve ndaj ish-ministrit dhe dërgimi i dosjes në gjykatë, u bë pasi më 11 shkurt Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, për të mos zgjatur hetimet me tre muaj të tjerë.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal. /a.y/noa.al