Transmetuar më 16-04-2019, 17:58

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka referuar vendimit të fundit të parlamentit të Holandës ditën e sotme, për vendosjen e vizave për Shqipërinë u bën thirrje shqiptarëve që të ngrihen kundër qeverisë Rama për ta rrëzuar, pasi ai po u rikthen vizat.

"Çdo ditë vetëm lajme të keqija për shqiptarët, dhuratë e një qeverie dhe një kryeministri që jo vetëm po shkatrron të ardhmen, por po na kthen mbrapa në kohët më të errta. Nuk ka kaluar shumë kohë, por për fat të keq ne jemi njerëz që memorien e kemi të shkurtër…2010-2019.

Nuk ka nevojë të tregoni mirënjohje as për Berishën e as për Bashën që bën të mundur liberalizimin e vizave ,por të paktën ngrihuni për vete e mos lejoni që për shkak të një kryeministri monstër, të rikthehemi në ditët e zeza kur trajtoheshim si qytetarë të dorës së fundit nga Evropa" shkruan Paloka.

Nga ana tjetër edhe ish-deputeti i LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar duke e cilësuar si një lajm të hidhur për të gjithë shqiptarët kërkesën e Holandës drejtuar Brukselit për heqjen e vizave për shqiptarët. Për LSI-në kjo situatë ka vetëm një fajtor dhe ai është Edi Rama.

"Lajm shumë i hidhur, Holanda, Parlamenti i saj votoi sot, që shqiptarëve tu vendosen vizat. Shqiptarët për shkak të kriminalizimit të qeverisë dhe kryeministrit dënohen që tu vendosen sërisht vizat. Kryeministri dhe qeveria nuk e luftojnë krimin por mbështeten tek ai dhe përdoren prej tij. Opozita po kërkon me forcë largimin e kryeministrit sepse çdo ditë që ai rri në karrige është ditë e zezë për shqiptarët.

Sot shqiptarët morën lajmin më të keq që mund të mendohej. Ka vetëm një fajtor, ai është kryeministri që po çon vendin drejt greminës. Asnjë hap pas për largimin e tij si shpëtimin e vetëm të Shqipërisë nga të tjera mënyra dhe nga të tjera lajme të zeza" shkruan Vasili.

Holanda i kërkoi zyrtarisht Komisionit Evropian që të rikthejë regjimin e vizave për Shqipërinë. Shkak për këtë vendim të parlamentit holandez është bërë kriminaliteti i shtuar i shqiptarëve që vepron atje.

Parlamenti zhvilloi diskutime për këtë çështje në 11 prill dhe sot ka votuar mocionin, ku 105 nga 150 deputetë kërkojnë që të pezullohet përkohësisht liberalizimi i vizave për shqiptarët.

Kundër Shqipërisë votuan 9 parti politike në Holandë (Partia Socialiste, PvdD, 50plus, VVD, SGP, CDA, CU, PVV, FVD), nga të cilat 3 parti janë pjesë e qeverisë.

Madje, pjesë e votimit që kërkojnë pezullimin e vizave janë dhe partitë e dy ministrave, atij të Jashtëm e atij të Drejtësisë, që më herët patën thënë se Shqipëria i plotëson kriteret e veprimit në Shengen./b.l/noa.al/