Transmetuar më 16-04-2019, 21:18

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, tha sonte se ai vetë nuk ka asnjë instrument kushtetues për tiu imponuar zgjidhjen palëve.

“Palët janë pak a shumë të testuara. Një palë thotë do ta çojmë opozitën për skrap. Pala tjetër thotë që ne nuk ulemi të flasim me kryeministrin. Kështu që duhet të tregojnë vullnet dhe është e rëndësishme të dialogojnë”, – tha z.Meta sonte në RTSH.

Kurse shtoi: “Unë kryetarin e opozitës e kam takuar me kërkesën time për të sqaruar një çështje që ishte raportuar nga media. Qëndrimi im është ai që mbetet. Mesazhet e mia kanë qenë të qarta prej kohësh. Të dyja palët nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën dhe duhet të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve shqiptarë”.

“Nuk ekziston asnjë arsye politike, ideologjike, familjare apo personale që ndikon në vendimet dhe në sjelljen time si President i Republikës. Nuk kam asnjë shqetësim dhe asnjë interes as për zgjedhjet e 30 qershorit dhe as për ato të vitit 2021. Për mua rëndësi ka stabiliteti i vendit dhe interesi publik”.

Sipas Metës, “zgjidhja është zbatimi i rregullave demokratike, zbatimi i reformës në drejtësi me transparencë dhe sipas ndryshimeve konsensuale kushtetuese dhe përmes zgjedhjeve gjithëpërfshirëse”.

Meta: Nga një demokraci parlamentare kemi kaluar në një liderizëm arbitrar

Z.Meta tha se kemi bërë hapa prapa sa i takon demokracisë parlamentare dhe po ashtu kemi bërë hapa para drejt një liderizmi arbitrar.

Sipas tij, pa ndryshuar sistemin zgjedhor është e vështirë të ndryshosh liderët.

"Mos harrojmë që jemi një vend që kemi një trashëgimi autoritare dhe për shkak të këtij graviteti çdo hapësirë që mund t’i lihet liderit e çon atë drejt autoritarizmit”, – tha z.Meta.

Kryetari i shtetit tha se kjo gjendje duhet të marrë fund duke vlerësuar se “jemi në kohë për të mos shkuar drejt një konfrontimi që do të ishte i pafalshëm për të gjithë”.

Meta alarmoi se “nuk duhet të rrezikojmë arritjet e vendit nga viti 1997 dhe në këtë drejtim duhet një reflektim nga të gjithë për të rikthyer vendin në një normalitet kushtetues”.

Meta: Kriza është kushtetuese dhe e thellë, rrënjët i ka te pakti Rama-Berisha

Meta pohoi se kriza është kushtetuese dhe e thellë, duke kujtuar edhe faktin se kjo krizë, rrënjët i ka në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

“Kriza është kushtetuese dhe e thellë. Rrënjët i ka të hershme dhe burojnë që nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe vazhdojnë me ndryshimet kushtetuese të para 2 viteve”, – deklaroi z.Meta sonte duke folur në RTSH.

Sipas tij, kriza aktuale kushtetuese dhe e thellë.

Po ashtu z.Meta vlerëson se nuk është një zhvillim i ri në Shqipëri mungesa e dialogut midis mazhorancës dhe opozitës.

“Mungesa e gjykatës kushtetuese funksionale dhe paraliza në tërësi e sistemit gjyqësor do të shohim se kriza është më e thellë, fillon që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008”, – evidenton kryetari i shtetit dhe shton:

“Aty mund të gjejmë rrënjët e kësaj krize në tërësinë e saj që është ashpërsuar në këto dy vite dhe sidomos në dy muajt e fundit pas këtij akti të opozitës”.

Presidenti vëren edhe faktin se “ka patur një nxitim nga të dyja palët për të përshkallëzuar krizën”.

“Nuk jam President ambasadash”

Duke folur sonte mbi reformën në drejtësi, z.Meta tha se ajo është e orientuar drejt emrave të përveçëm, jo drejt standardeve demokratike dhe shtoi:

“Zbatimi i reformës në drejtësi u orientua drejt emrave të përveçëm dhe jo drejt standardeve demokratike. Unë të vërtetës i them të vërtetë. Unë nuk jam President ambasadash”.

Z.Meta vijoi: “Ndonjëherë ambasadorët më shumë krijojnë kaos se sa thonë të vërtetën. KE duhet të sjellë ekspertë nga Brukseli për të parë se si është zbatuar reforma në drejtësi. Këtë ia kam thënë edhe Danielsson”.

“Shoqëria civile për mua ka bërë një reagim, sikundër ishte rasti i fundit i Komisionit të Helsinkit dhe Fondacionit të Shoqërisë së Hapur, reagim që duhet marrë seriozisht. Presidenti ka bërë çdo gjë për parandalimin e një krize të tillë”, – u shpreh z.Meta.

“Përpjekja ka qenë e qartë, jo vetëm për të parandaluar këtë krizë dhe për të nxitur një dialog midis shumicës dhe opozitës por edhe për të dhënë mesazhe shumë herë më të forta për çështjen e integrimit evropian”, – theksoi kreu i shtetit. /noa.al/