Transmetuar më 17-04-2019, 00:13

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi mbrëmjen e të martës se nuk do të ketë zgjedhje lokale më 30 Qershor dhe se ato do të shtyhen.

Basha tha se, nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën ndërsa deklaroi se zgjidhja e krizës duhet të gjendet edhe me PS, por me largimin e Ramës si kusht i patjetërsueshëm.

“Ne jemi sot nê njê pikë përplasje pa kthim. Përplasja do të jetë parapolitike, nëse kriza nuk zgjidhet sipas rrugës që parashtron opozita. Nëqoftëse ti sot do të shkosh në zgjedhje pa ndëshkuar kriminelët e Dibrës, ku është kapur Damian Gjiknuri me Ymer Lalën…

Drejtësia është e kapur, pikërisht se Ymer Lala, Damian Gjiknuri, Niçe Abdylaj, Vangjush Dako, Taulant Balla dhe Edmond Bego, jo vetëm t’i shpëtojnë drejtësisë, por të shkojnë t’u marrin shtëpitë këtyre banorëve, t’ua prishë Edi Rama me Erion Veliajn, pa ligj, se s’ka as Gjykatë Kushtetuese, dhe të bëjnë 60 milionë euro projekt aty. Këtu ka ardhur situata, prandaj janë ngritur qytetarët", – tha z.Basha dhe shtoi:

"Ne jemi sot në një pikë përplasjeje pa kthim dhe kjo përplasje do të marrë përmasa parapolitike nëqoftëse nuk zgjidhet me të vetmen rrugë që parashtruar opozita".

Por cila është rruga? Z.Basha përgjigjet: "Largimi i menjëhershëm i njeriut që e ka sjellë vendin në këtë pikë, në pikën që po kthen vizat për shqiptarët. Një qeveri tranzitore, roli i parë i të cilës është t’ja zgjidhë duart prokurorisë, ato çështje të hetohen, ata politikanë që janë kapur, janë përgjuar – nuk janë fantazitë e mia – duke u thënë kriminelët mbush këtë kuti, bli këto vota, fut këtë kriminel në listën e Durrësit, – këta duhet të shkojnë para drejtësisë, nga i pari tek i fundit. Po s’ndodhi kjo nuk është thjesht e vetëm se s’do ketë zgjedhje, por absolutisht vizat do tê kthehen dhe Shqipëria do tê rrethohet me mur”, tha Basha

Këto pohime, kreu i demokratëve, Lulzim Basha i bëri sonte, i ftuar në emisionin “Tempora” në RTV Ora.

Basha deklaroi se PD është forcuar sepse shqiptarët kanë kuptuar se opozita është rreshtuar krah tyre.

Basha pretendoi se Rama në 2013 i fitoi zgjedhjet sepse kishte 19 kriminelë, narkotrafikantë, tutorë prostitutash, përdhunues të miturish, trafikantë droge, heroine, kokaine.

“Opozita është forcuar se shqiptarët e kanë kuptuar që është ndarë shapi nga sheqeri. PD ka hequr çdo dilemë se kjo është betetjë për pushtet, është shumë më shumë sesa kaq. Ka nevojë për një transformim.

Ka ardhur koha t’i mbyllim derën tranzicionit dhe t’i hapim derën Shqipërisë Europiane. Kjo do të thotë që ne duhet të krijojmë parakushtet në zgjedhje, shëndetësi, arsim, të mundësojmë që njerëzit të kenë akses të barabartë dhe të pamundësojmë që pushteti të mbetet në dorë të një grupi oligarkësh.

Rama përdori krimin në zgjedhjet e 2013, prandaj fitoi. Kishte 19 kriminelë, narkotrafikantë, tutorë prostitutash, përdhunues të miturish, trafikantë droge, heroine, kokaine. Kjo është e vërteta”, tha Basha.