Transmetuar më 17-04-2019, 08:50

Një operacion policor i koduar “Kolaudimi” është kurorëzuar në orët e para të kësaj të mërkure nga policia e Lezhës.

Finalizimi i tij u bë pas hetimeve të ndjekura me metoda proaktive bazuar në dyshime të arsyeshme se në pikën e kolaudimit në Laç kalohen mjete jashtë standardeve teknike kundrejt ryshfetit.

Lidhur me këto dyshime në vitin 2018 janë referuar pranë Prokurorisë së Kurbinit materiale hetimore.

Mbi bazën e materialeve të referuara, Prokuroria ka regjistruar procedim penal për ndjekje të mëtejshme të këtij rasti, i cili është finalizuar mëngjesin e me operacionin “Kolaudimi” ku janë ekzekutuar urdhrat e masave të sigurisë në ngarkim të:

– S.K., 22 vjeç, banues në Mamurras, me masë sigurimi “Arrest me burg” për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

– M.K., 50 vjeç, banues në Mamurras, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

– I.D., 49 vjeç, banues në Lezhë, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”

Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre D.A., 47 vjeç, banues në Laç, me masë sigurimi “Arrest me burg” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe Gj.A., 33 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë Inspektor i Kontrollit Teknik tek SGS Laç, me masë sigurimi “Arrest me burg” për veprën penale “Shpërdorim detyre”

Masat e sigurisë janë dhënë nga Gjykata e Kurbinit ditën e djeshme, më 16 prill, ndaj të dyshuarve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një mjet jashtë standardeve teknike, i kaluar në kolaudim pa probleme dyshuar kundrejt ryshfetit. /a.y/noa.al