Transmetuar më 17-04-2019, 15:24

Pas pamjeve të përplasjes së policisë me banorët e zonës së “Bregut të Lumit” si dhe me dy ish-deputetë Klevis Balliu dhe Endrit Brahimllari, kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar në një postim në rrjetet sociale.

Basha shkruan se dhunuesit që shqiptarët panë sot duke rrahur një grua të dëbuar me forcë nga shtëpia e saj, janë fytyra e vërtetë e Ramës dhe Veliajt.

“Dhunuesit që shqiptarët panë sot duke rrahur një grua të dëbuar me forcë nga shtëpia e saj, dhe duke goditur përfaqësuesit e opozitës në mbështetje të banorëve te dëbuar janë fytyra e vërtetë e Edi Ramës. Dhunuesi i zonjës tek Bregu i Lumit është shefi i komisariatit 4, Agim Hoxha, një bandit me uniformë, që ka dhunuar më parë edhe qytetarët dhe përfaqesueset gra të opozitës.

Dhunuesi tjetër është fytyra e Erion Velisë në Policinë Bashkiake, që ka rrahur dhe dhunuar më parë eshe gjyshet që shesin prodhimet e bahçes për të mbajtur frymën gjallë si dhe shumë qytetarë të pambrojtur”, shkruan Basha.

Më tej ai shprehet se, “Rama nuk mund ta mbajë më pushtetin e tij të paligjshëm veçse duke përdorur dhunën. Dhunë kundër qytetarëve, dhunë kundër gazetarëve, dhunë kundër kundërshtarëve politikë, dhunë kundër Kushtetutës. Dhunë ndaj kujtdo që i tregon ligjin Edi Ramës, qoftë ky artist që mbron teatrin, qytetar që mbron shtëpinë apo opozitar që mbron të drejtat e qytetarëve”.

Në fund ai i bën thirrje çdo shqiptari që të qëndrojë në këmbë! “Të qëndrojmë të bashkuar dhe të vendosur për t’i dhënë fund dhunimit të Shqipërisë nga një grup banditësh me pushtet të vjedhur e të blerë me krimin. Së bashku do të bëjmë të mundur që dhunuesit e shqiptarëve, nga Edi Rama deri tek banditët me uniformë, të japin llogari para ligjit për çdo padrejtësi!”, përfundon Basha./b.l/noa.al/