Loading...
Reja merr zyrtarisht drejtimin e Kombëtares: Nuk premtoj asgjë, por do jap maksimumin
Transmetuar më 17-04-2019, 17:01

Edy Reja është zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares, me italianin i cili ka firmosur një kontratë deri në nëntor, me opsion rinovimi. Në fjalën e tij tekniku italian theksoi se në karrierën e tij ka firmosur gjithnjë kontrata të shkurta.

Ai nënshkroi me kuqezinjtë për një sezon, me opsion edhe për një tjetër. Në fjalën e tij të parë si kuqezi, Reja pohoi se pika e parë që dëshiron të përmbushet është një marrëdhënie e mirë me mediat.

"Shpresoj që të krijoj një marrëdhënie shumë të mirë me shtypin edhe pse nuk është e lehtë. Falenderoj presidentin Duka që më besoj mua. Isha i ftuar për të parë ndeshjen e parë të kombëtares shqiptare. Kisha një kontakt me Dukën, pasi unë kisha ardhur për të parë futbollistë të ndryshëm, por presidenti më bëri kërkesë.

Kontrata ime do të përfundojë në nëntor dhe më pas do të shikojmë nëse do të ketë një kontratë për një vit tjetër. Edhe në eksperiencat e mia të mëparshme kam firmosur për një sezon dhe më pas kam rinovuar. Kisha mundësi për të drejtuar një skuadër në Seria A, por më pëlqente një ide për të drejtuar kombëtaren. Lojtarët duhet ta ndjejnë fanellën që mbajnë veshur. Shqipëria ka kualitete që duhet të dalin në sipërfaqe. Nuk premtoj asgjë por kam ardhur këtu për të dhënë 200 përqind”-tha Reja.

Nga ana e tij Presidenti i FSHF-së, Armand Duka u shpreh se Reja është personi i duhur për të ribashkuar dhe motivuar sërish grupin e kombëtares, pasi elementët cilësorë janë. “Jemi mundur që të bëjmë zgjedhjen më të mirë. Është një trajner me shumë eksperiencë, mendoj që kemi bërë zgjedhjen e duhur. Kemi shumë elementë cilësorë, kanë nevojë për një motivim, frymë grupi, Reja ka eksperiencën për të dhënë motivimin e duhur”, tha Duka./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...