Transmetuar më 17-04-2019, 21:23

Prindër të fëmijëve që frekuentojnë shkollën Albanian College Tirana (ACT) në Tiranë dhe Durrës denoncojnë se janë përballur me rritje të çmimit për shkollimin e nxënësve në këto shkolla private parauniversitare, duke pohuar se rritja është në masën rreth 30 për qind dhe për rrjedhojë e papranueshme.

Pranë redaksisë së noa.al mbërritën ankesa nga prindër të nxënësve që ndodhen në këto shkolla private. Ata thonë se janë përballur në mes të ciklit shkollor me rritje të papranueshme të tarifës nga rreth 6 mijë euro në vit për një nxënës në 8200 euro vjetore.

Prindërit pohojnë se nga praktikat ndërkombëtare por dhe në kushte të një normaliteti, është e papranueshme që të bëhen rritje të tilla në mes të ciklit shkollor. Sipas tyre, rritje mund të aplikohen mbi bazë cikli shkollor pasi dhe kur bëhen regjistrimet e fëmijëve në shkolla, aplikohet çmim cikli arsimor.

Për më tepër rritja në afro 30 për qind e tarifës vjetore është absurde për prindërit.

Ata theksojnë se normalisht rritja mund të konsiderohej e pranueshme nëse do të ishte në masën midis 3 apo 5 për qind.

“Ashtu sikurse thuhet qartë dhe nga klauzolat ligjore që përcakton edhe Autoriteti i Konkurrencës, rritja e tarifës shkollore mund të aplikohet për dy arsye. E para, nëse ka inflacion të thellë në vend. E dyta, nëse shkollës i ngarkohet TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar”, – evidenton prindi i një prej nxënësve që gjenden në Albanian College Tirana. Ai shton se asnjë nga këto dy arsye nuk qëndron pasi inflacioni mbetet në shifra të kontrolluara dhe TVSH nuk aplikohet për shkollat.

Në klasat e Albanian College Tirana ndodhen rreth 170 nxënës. Disa prindër kanë më shumë se një fëmijë të regjistruar në to.

Për të shprehur shqetësimin e tyre, këta prindër kanë kërkuar takim me pronarin e Albanian College Tirana, Astrit Veliaj dhe e kanë realizuar atë.

Prindërit thonë se shprehën ankesat e tyre. Ata gjithashtu shprehën dhe shqetësimin se nuk marrin faturë tatimore përkundrejt pagesave që kryejnë. Edhe kur pagesat bëhen me bankë, thonë ata, sërish nuk kanë fatura tatimore që të përshkruajnë pagesat që bëjnë.

Ndërkohë, përmes një email që shikoni më poshtë, Albanian College Tirana paralajmëron se duke filluar nga data 18 prill nuk do të lejojë nxënësit debitorë siç i quajnë ata, që të vazhdojnë mësimin por do t’i nxjerrin nga klasat dhe do t’i zhvendosin në sallën e bibliotekës deri në orën 12.00 dhe prindërit t’i marrin.

Në këto kushte, prindërit i kanë dërguar një letër mësuesve të fëmijëve që gjenden në shkollat Albanian College Tirana.

Përmes letrës, ata pohojnë se pasi më në fund është pranuar të lëshohen fatura tatimore dhe ato do të jepen nga mesdita e 17 prillit, sipas ligjit ka 30 ditë kohë për likujdimin e tyre.

Në këtë mënyrë, bie paralajmërimi që nxënësit të mos pranohen në mësim më datë 18 prill.

Sakaq, prindërit kanë dalë dhe me një peticion. Ata kritikojnë ACT duke theksuar se në mënyrë të befasishme dhe pa asnjë paralajmërim apo diskutim me prindërit dhe në kushte të mungesës së plotë të transparencës, janë njoftuar më 8 mars 2019 për në rritje thelbësore të tarifave për vitin shkollor 2019-2020.

“Rritja është në masën 30% për ciklin parashkollor dhe në masën 20 – 25% për ciklet vijuese dhe vjen në vazhdim të rritjeve të tjera me përmasa të ngjashme përkatësisht në vitet 2016-2017, 2017-2018 dhe 2018-2019”, – thuhet në peticion, faksimilen e të cilit e gjeni më poshtë.