Transmetuar më 17-04-2019, 21:56

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Reformës Zgjedhore deri në datën 28 nëntor 2019.

Kjo bëhet e ditur në një letër që zoti Balla i ka dërguar zotit Ruçi.

Letra që gjeni më poshtë shihet si një shans që mazhoranca po i jep opozitës për ta përfshirë atë në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Për më tepër, letra e zotit Balla ka ngritur disa pikëpyetje lidhur me zhvillimet e ardhshme në vend, veçmas për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Reforma Zgjedhore që do të ndërmerrej nga palët pritej të ndikonte edhe këto zgjedhje. Por tashmë është e qartë se ajo do të synojë zgjedhjet e përgjithshme të parashikuara për t’u mbajtur në vitin 2021.

Opozita po synon ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, por kjo mohohet nga mazhoranca.

Balla kërkon zgjatjen e veprimtarisë së komisionit të Reformës Zgjedhore

“Me qëllim realizimin e objektit të krijimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe përfundimin e punës për miratimin e ndryshimeve të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it për tre zgjedhjet e fundit të viteve 21013, 2015 dhe 2017, si dhe propozimet e ndryshme të partive politike në vend, propozoj kryerjen e disa ndryshimeve në këtë Vendim, si më poshtë vijon:

-Pjesë e objektit të veprimtarisë të Komisionit, të shtohen edhe çështjet e sistemit zgjedhor në Shqipëri

-Objekti i veprimtarisë së Komisionit të mund të realizohet me disa faza, të cilat mund të përfshijnë pjesë të ndryshme të Reformës Zgjedhore

-Afati i veprimtarisë së Komisionit të zgjatet deri në datën 28 nëntor 2019”.