Transmetuar më 18-04-2019, 10:13

Pas votimit në parlamentin holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë, vjen reagimi i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

Në qëndrimin e tyre thuhet se Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u njoh me vendimin e Dhomës së Ulët të Parlamentit holandez të datës 16 prill 2019, ku 108 deputetë të pesë partive kryesore politike të vendit nga 150 gjithsej, votuan në favor të propozimit për fillimin e procedurave për rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në Hapësirën Schengen.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bashkohet shqetësimit të shprehur nga i gjithë opinioni publik për këtë zhvillim negativ- një kthim prapa për një nga arritjet më madhore të shqiptarëve që pas rënies së diktaturës komuniste, atë të lëvizjes së lirë e pa viza në hapësirën Schengen.

“Ky vendim dëmton rëndë interesat e shtetasve shqiptarë dhe imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë dhe në botë. Ai mund të shërbejë si një argument shtesë për të gjitha ato forca politike evropiane që, për arsye e motive të ndryshme, kundërshtojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thuhet në qëndrim.

Më tej deklarohet se kjo ngjarje duhet të alarmojë të gjithë strukturat zyrtare shqiptare, për të adresuar sa më parë dëmin e madh të krijuar.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vëren me shqetësim të madh mungesën e një analize të thelluar të këtij vendimi të Parlamentit holandez nga strukturat përgjegjëse shqiptare. Interpretimi i këtij vendimi si një çështje hipotetike dhe që nuk do të ndodhë, është sa sipërfaqësor aq edhe jo profesional.

Një vendim i tillë, me pasoja të rënda për imazhin dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve, nënvizohet më tej, se duhet shoqëruar me një analizë serioze dhe me përgjegjësi të lartë institucionale, duke përcaktuar dhe masat konkrete për adresimin, frenimin dhe minimizimin e të gjithë problematikave që kanë ndikuar në marrjen e këtij vendimi.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që, në funksion të prioriteteve politikës së jashtme dhe mbrojtjes së interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen, të ndërmarrë menjëherë demarshet e nevojshme me Holandën dhe agjencitë e saj ligjzbatuese, si dhe me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që ky vendim të mos ketë efekt të mëtejshëm dhe të mos shoqërohet me vendime të tjera të ngjashme.

“CAA shpreh gjithashtu besimin se Komisioni Evropian, si instanca përfundimtare vendimmarrëse do të refuzojë këtë propozim dhe do t’i përmbahet konkluzioneve të Raportit të tij të muajit dhjetor 2018, ku pohon se Shqipëria i përmbush kriteret për vazhdimin e regjimit pa viza për qytetarët shqiptarë në Hapësirën Schengen. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nënvizon se marrja e sinjalit pozitiv në muajin qershor për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE është dhe mbetet përparësia madhore, në interes të vendit dhe të vetë BE-së”, deklarohet më tej. /a.y/noa.al