Transmetuar më 18-04-2019, 10:21

Deputetët e opozitës së re parlamentare, të cilët pranuan të hyjnë në Parlament, pasi opozita vendosi të djegë mandatet e deputetëve, thirrën në interpelancë ditën e sotme, ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Deputeti i dalë nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ralf Gjoni tha nga foltorja e parlamentit, se niveli i sigurisë në aeroport është i papranueshëm për një vend anëtar të NATO-s.

Ai pyeti se pse pas grabitjes së vitit 2016 në Rinas, nuk ka pasur asnjë masë shtesë sigurie.

Gjoni pyeti ministrin nëse është i gatshëm të japë dorëheqjen nëse ngjarja nuk zbardhet dhe nuk gjenden fajtorët, duke e cilësuar si një ngjarje të rëndë.

Grabitja e parave ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka ndodhi brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me katër persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.

Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.

Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë. /a.y/noa.al