Transmetuar më 18-04-2019, 10:35

Gjatë interpelancës me deputetët e “opozitës së re”, lidhur me grabitjen e 9 prillit në aeroportin e Rinasit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e cilësoi si një ngjarje të rëndë që ka marrë vëmendjen e veçantë të policisë.

“Nuk është një ngjarje apokaliptike dhe as shkatërrim i sigurisë kombëtare, pasi siguria kombëtare nuk cenohet nga pesë vetë që sulmojnë aeroportin”, u shpreh Lleshaj.

Ministri i Brendshëm shtoi se ngjarja është pasojë e një serie dështimesh e disa hallkave që janë përgjegjëse për sigurinë në aeroport.

Operatori privat i ngarkuar për sigurinë e aeroportit tha Lleshaj, e ka njoftuar policinë pas 5 minutave e 21 sekonda më vonë, ndërkohë që policia kishte mësuar për ngjarjen në rrugë të treta, ndërsa Tirana International Airport e ka njoftuar Aviacionin Civil Shqiptar, 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja.

“Policia nuk është lejuar të futet brenda pistës pas sinjalizimit për ngjarjen, pasi porta nuk është hapur nga kompania që ka përsipër sigurinë e aeroportit”, deklaroi ministri.

Zona e aeroportit me ligj, tha ai, është zonë përgjegjësi e koncesionarit, por se jashtë rrethimit të saj është përgjegjësi e Policisë së Shtetit, ashtu si çdo pjesë tjetër e vendit.

Çështja e sigurisë në aeroportin e Rinasit sipas ministrit, në vitin 2018 është bërë objekt i diskutimit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Ai cilësoi si problematike portat e rrethimit të jashtëm dhe se rrethimi është pa sensorë, ashtu sikundër sipas tij kamerat nuk janë të mjaftueshme.

Lleshaj tha se janë marrë masa për forcimin e patrullimit si brenda dhe jashtë aeroportit dhe se policia ka marrë sigurinë e aeroportit, edhe në zonën brenda kamerave dhe se pjesa e jashtme është vënë nën ruajtjen e Forcave të Armatosura.

Për ministrin e veçanta e këtij rasti të përsëritur, është se për herë të parë policia ka reaguar brenda një kohe të shpejtë.

Grabitja e parave ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka ndodhi brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me katër persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.

Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.

Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë. /a.y/noa.al

Grabitja e Rinasit, “opozita e re” interpelancë me Lleshaj: A je gati të japësh dorëheqjen?