Transmetuar më 18-04-2019, 13:28

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dërguar një kërkesë tre bankave të nivelit të dytë, lidhur me grabitjen e 9 prillit në aeroportit të Rinasit.

Në kërkesën e organit të akuzës, iu kërkohet institucioneve financiare që të japin shifrën e saktë të parave, të cilat kishin dërguar për tu nisur jashtë vendit.

Kjo kërkesë vjen në vijim të hetimeve lidhur me zbardhjen e ngjarjes, teksa kapitali i humbur nuk është saktësuar ende.

Fillimisht u përfol për 10 milionë euro, ndërsa më tej kjo shumë u zbrit në afro 6 milionë euro.

Grabitja e parave ndodhi pak minuta para orës 15.00 të 9 prillit, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka ndodhi brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me pesë persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.

Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.

Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë. /a.y/noa.al

Grabitja në Rinas, Lleshaj shfajëson policinë: Nuk u lejua të futej në pistë