Transmetuar më 18-04-2019, 13:47

Një vajzë e mitur vetëm 13 vjeçe rrezikoi që të binte pre e përdhunimit mesditën e kësaj të mërkure në qytetin e Durrësit, nga nje turist kanadez.

Bëhet fjalë për shtetasin nga Kanadaja, 50-vjeçar Robert Hedorson, i cili akuzohet nga autoritetet policore shqiptare se ka tentuar që të përdhunojë një vajzë 13-vjeçare hungareze, e cila kishte ardhur me pushime me familjen në vendin tonë, raporton noa.al.

Mësohet se kanadezi ka tentuar që ta marrë me forcë të miturën në apartamentin me qera në bregdetin e Durrësit, por ndërhyrja e banorëve të zonës së plazhit në lagjen nr.13 ka qenë vendimtare.

Gjithçka nisi pasi turisti që shihni te foto më lart, i ka kërkuar të miturës ndihmë, lidhur me vendin ku duhet të shkonte dhe më tej ka tentuar që ta tërheqë drejt apartamentit, nën argumentin se mos humbte rrugën.

Por në momentin që kanë mbërritur poshtë pallatit ai ka tentuar që ta marrë me forcë brenda. Në këto momente e mitura ka klithur për ndihmë, ku disa banorë kanë nisur të godasin turistin kanadez, duke shpëtuar të miturën.

Më pas ata kanë lajmëruar policinë, duke çuar në ndalimin e turistit 50-vjeçar. Lidhur me ndalimin e tij është vënë në dijeni edhe ambasada kanadeze, teksa hetimet janë në vijim.

Ndërkohë për shkak të goditjeve të pësuara nga banorët, turisti u dërgua për ndihmë në spitalin e Durrësit.

Sakaq gjatë marrjes në pyetje nga policia Robert Hedorson, ka thënë se është keqkuptuar. Madje ai pretendon se e ka falenderuar të miturën dhe e ka përqafuar, por se banorët e kanë goditur. /a.y/noa.al

Dëshmia e kanadezit – 50-vjeçari, që mësohet se qëndronte prej disa ditësh si turist në Durrës, ka mohuar tentativën e përdhunimit, ndërsa në dëshminë para policisë ka folur për një keqkuptim.

Hedorson ka thënë se sjellja e tij ishte vetëm një akt falenderimi për vajzën që e kishte ndihmuar.

 “Nuk është aspak e vërtetë që tentova të përdhunoj një vajzë të mitur. Absolutisht nuk kisha këtë qëllim. Thjesht e përqafova në shenjë falenderimi. Ky gjest u keqkuptua nga vajza dhe bërtiti duke kërkuar ndihmë”.

Dëshmia e 13 vjeçares – Ndërsa 13-vjeçarja hungareze e mbërritur në Durrës për pushime me familjen e saj ka dhënë një tjetër version.

Ajo ka thënë në prani të psikologes se 50-vjeçari i ka kërkuar ta shoqëronte deri tek apartamenti dhe kur ajo ka refuzuar të ngjitet, ai e ka kapur për dore, duke përdorur forcë për ta futur në hyrjen e pallatit.

Policia e Durrësit është vënë në kontakt me autoritetet kanadeze për rastin, ndërsa mësohet se 50-vjeçari rezulton i dënuar tri herë për vjedhje.