Transmetuar më 18-04-2019, 15:56

Organizata “Gazetarët pa kufij", me seli në Paris, e njohur në Shqipëri dhe si “Reporterët pa Kufij”, vlerëson në raportin për lirinë e medies se urrejtja ndaj gazetarëve në nivel botëror është shndërruar në dhunë duke nxitur shtimin e frikës.

Due u ndalur te Shqipëria, raporti evidenton me shqetësim dhe papranueshmëri, faktin që kryeministri Edi Rama shpesh i konsideron kazan, mediat shqiptare dhe sikundër thekson raporti, termi kazan si nënçmim po përdoret dhe nga pjesëtarë të tjerë të mazhorancës së Ramës.

Sipas raportit që u publikua të enjten, numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të shtrëngojnë kontrollin e tyre mbi mediet.

Në raportin që vlerëson shkallën e lirisë së medies në 180 vende, Norvegjia është e para, ndërsa vendin e fundit e zë Turkmenistani, që është radhitur madje prapa Koresë së Veriut.

Shqipëria

Shqipëria vjet ishte në vendin e 75-të, ndërsa sivjet radhitet në vendin e 82-të, duke shënuar një rënie prej 7 vendesh.

Në raport thuhet se “sulmet mbi mediet, qoftë nga qeveria apo krimi i organizuar, arritën shkallë të pashembullt në vitin 2018. Gazetarët ishin cak i fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe përndjekjeve ligjore, me qëllim të frikësimit dhe pengimit të hetimit të korrupsionit. Politikanët e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i cilësuan ata si ‘kazan’ dhe ‘prodhues të lajmeve të rreme’.

Kryeministri propozoi një ligj të projektuar për të përforcuar kontrollin e shtetit mbi mediet elektronike dhe, sipas kritikëve, të kufizojë qasjen në lajme dhe informacione”.

Raporti përmend një studim të përbashkët të "Gazetarëve pa kufij" dhe BIRN-it i publikuar në muajin mars të vitit të kaluar, i cili ka gjetur shumë probleme në mediet shqiptare.

“Standardet rregullative janë manipuluar në interes të qeverisë dhe pronësia mbi medien transmetuese është përqendruar në duart e pak afaristëve të mëdhenj. Kjo, ka krijuar një situatë në të cilën auto censura është e përhapur dhe 80 për qind e gazetarëve nuk kanë besim në ardhmërinë e tyre profesionale”, thuhet në raport.

Lexoni dhe: Presidenti Meta shpreh shqetësim të thellë për rënien e lirisë së medias në vend që evidentojnë “Reporterët pa Kufij"