Transmetuar më 18-04-2019, 23:00

Edhe kafshët kur bie shi mundohen të gjejnë strehë, por Petrit Saraçi, baba i tre fëmijëve del nga barakja ku jeton që t’i lërë vendin familjes… fundja ai pak orë sy gjumë bën, pasi në orën 3 të mëngjesit do të çohet për të dalë në qytet, të mbledhë kanaçe, bidona e hekurishte për të mbajtur frymën gjallë.

Kjo është një coëz e historisë dramatike të një familje shqiptare që jeton në kushte çnjerëzore. Pa ushqim, pa veshje e pa shtëpi. Historia e familjes Saraçi është e atillë sikurse fjalët e rënda që thotë Petriti, kur tregon në emisionin “shqiptarët për shqiptarët” se ka tentuar disa herë të vrasë veten.

Petriti: Marr çunin e madh që të mbledhë bidona, të mos hyjë në rrugën e keqe, të mos më vjedhë…Çuni ka krahun të thyer. Sidomos për atë jam të vras veten (qan) Kur e shoh atë shpirti më dhimbset. Nuk kam mundësi t’i shëroj krahun, unë e di sa vuaj për atë… Nuk ja dal dot më, dy- tre herë kam tentuar të helmoj veten por s’më ka lënë gruaja. Kam fotoksinën, por mi ka hedhur gruaja… (qan) Më dhimbset gruaja dhe fëmijët por nuk kam se çfarë t’i bëj… është e pamundur (qan).

Këto fjalë të rënda përlotën shumë shqiptarë e fatmirësisht në dheun tonë ka ende njerëz me zemër të madhe. Elvis Naçi shkon t’i vizitojë në barrakën ku jetojnë familjarët e Petritit. Sheh me sytë e tij një birucë ku të merret fryma. Por kësaj here ai nuk është vetëm.

Një burrë dhe një grua, të dy në moshë vijnë së bashku me Sidrit Bejlerin në banesën e familjes Saraçi. Venedik dhe Donika quhen. Ata e shohin me sytë e tyre se në çfarë kushtesh çnjerëzore jetojnë 5 pjesëtarët e familjes Saraçi. Gruaja e Petrit, Dashuria, tregon momentin kur një bombul gazi për pak sa nuk i mori jetën. Qan kur e pyesin sesi ka mundur të jetojë në këtë barrakë.

Donika: sa vjet keni që jetoni në këtë vend

Petriti: 15 vjet… dimër behar, në ftohtë e në shi… kam dy çuna dhe një vajzë.. ato thasët me qepë e patate që patë jashtë derës i kam mbledhur nga plehrat.

Elvis Naçi:Na e bëni hallal, por këtu nuk rrihet shumë sepse fryma po më merret.

Donika: Paskeni qenë shumë të fortë që keni jetuar këtu për 15 vjet… por mos u mërzisni! Mos lësho lot të lutem… o Zot çfarë vendi

Dashuria: Njëherë na mori bombula flakë… vetes i thash ishalla më merr mua por jo fëmijët. Shpëtuam mirë atë ditë.

Elvis Naçi: Mos u mërzisni, ne nuk kemi ardhur kot këtu… ju lutem mos u mërzisni sepse ne kemi ardhur që situata të kthehet. Por ne nuk do ju lëmë këtu! Hajde të dalim, këtu nuk rrihet se të merret fryma. Të dalim të lëvizim, të bëjmë diçka.

Por ajo që vjen më pas është diçka krejt ndryshe për familjen Saraçi e në rradhë të parë për këtë baba. Prej 15 vitesh ai punon 20 orë në ditë për të mbajtur mesa mundet familjen. Fle jashtë në shi e breshër… dhe sot falë shqiptarëve edhe ai do të gëzojë. Donika e Venediku kanë vendosur që t’i falin një shtëpi.

Donika veçanërisht përlotet kur sheh fëmijët tek buzëqeshin dhe njëkohësisht qajnë, kur shohin dhe mësojnë se shtëpia ku ndodhen, do të jetë e tyrja përgjithnjë.

Lajmin Petritit ia jep vajza e tij Marisoli… Petrit nuk i beson syve dhe përlotet.

Marisoli: Babi, hyr brenda, kjo është shtëpia jonë… nuk do të flesh më përjashta.

Petriti (qan): Faleminderit shumë…

Naçi: Përqafojini fortë Donikën e Venedikun, sepse ata e dhuruan këtë shtëpi.

Petriti: Ju falënderoj nga zemra… nuk e prisja kurrë e gjallë në botë. Nuk e ëndërroja kurrë të shifja një ditë një shtëpi.

Naçi: Ta gëzoni dhe të jetoni të lumtur e larg asaj skëterre ku ishit.

Venediku: Ta gëzoni dhe u plotësofshin dëshirat tuaja shpresoj.

Petriti: Të falënderoj shumë… tek Zoti nuk i kisha humbur shpresat dhe më erdhi si mrekullia vetë.

Donika: Më dhemb shpirti kur shikova atë skëterrë ku jetonte familja… nuk e durova dot.

Marisoli i tregon babait të saj dhomën se ku do të flejë. Petriti përqafon vajzën dhe lotët nuk mbarojnë.

Por kush është familja Mara, e cila vendosi të falë shtëpinë e tyre për familjen Saraçi.

Në shenjë falënderimi për kontributin e tyre të madh, Elvis Naçi shkon ta vizitojë familjen Mara. Vajza e Venedikut dhe Donikës thotë se gjithçka nisi falë vëllait të saj. Fatimja kujton se dikur ajo dhe vëllezërit e saj kishin vuajtur njëlloj si familja Saraçi. Ajo përlotet kur kujton ditën që i ati shkoi në këmbë nga Berati drejt Elbasanit për të marrë sheqer për fëmijët. Familja Mara nuk është e pasur. Venediku ka punuar si shumë shqiptarë për dekada si emigrant në llaç e tulla dhe sot vendosi siç thotë ai me “gjithë shpirt e zemër” që të bëjë një vepër të mirë për familjen Saraçi.

Vajza e familjes Mara, Fatimja: Kjo është një dhuratë nga ana e prindërve të mi dhe vëllait tim të madh. Im atë na karritur 4 fëmijë dhe kishim dëshirë që siç jemi dhe ne sot, edhe ata fëmijë të rriten mirë. Ne kemi vuajtur vetë për bukën e gojës dhe na bëhet shumë qejfi për familjen Saraçi

Naçi: Kjo që keni bërë është një vepër e madhe, e mrekullueshme sepse po tregoni fisknikërinë e shqiptarit sepse doni të dhuroni një shtëpi për një familje që nuk ka ku shkon më keq… sepse ajo familje është në gjendje katastrofë.

Donika: Ne me gjithë shpirt e kemi dhënë këtë shtëpi… nuk e di, vetëm nga fëmijët. Kur i kemi patur fëmijët të vegjël, kemi vuajtur shumë. Kur e kemi parë, më është kujtuar fëmija im.

Venediku: Vitet që na kanë ngelur s’janë të shumta… vajza kur pa atë familje ka qarë, më tha gjyshi shikoji ata fëmijët sa keq. Ne nuk bredhim dot më, dhe menduam për t’i bërë një dhuratë familjes.

Elvis Naçi: Na keni surprizuar shumë.

Donika: Siç ndihmuan neve, sikur një pakicë e vogël shqiptarësh të ndihmonin me diçka të vogël, shumë do të bëhej.

Elvis Naçi: Ky është modeli që po mundohemi të krijojmë… kjo gjë kaq e mirë që keni bërë është diçka për t’u skalitur edhe për shqiptarët e tjetë.

Vajza e familjes Mara: Një histori dua të tregoj. Jam binjake me vëllain tim. Im atë është ngritur nga Berati dhe ka shkuar në këmbë në Elbasan për të marrë paksa sheqer, nuk kishim ç’të hanim… dhe sot jam shumë e lumtur që babai ia ka arritur dhe të ndihmojë atë familje aq të varfër.

Venediku: E kam dhuruar me shpirt atë shtëpi, ajo familje e meritonte. Unë nuk dua të më kujtohet emri, sepse këtë dhuratë e kam bërë me zemër… dhe dua që ajo familje të jetë krenare. Atë shtëpi e kemi dhënë me gjithë zemër.

Por suprizat nuk mbaruan me kaq për familjen Saraçi, pasi një shqiptar i Zvicrës kontaktoi me “shqiptarët për shqiptarët” për të thënë se për një vit me rradhë, do të japë një sasi prej 150 frangash për familjen Saraçi. Një dhuratë mbase jo e madhe sa shtëpia, por që tregoi dhe njëherë se kur shqiptarët janë bashkë, mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme.