Transmetuar më 19-04-2019, 17:40

Vendimi i qeverisë për transferimin e Drejtorisë Arsimore Rajonale nga Shkodra drejt Lezhës ka qenë kryefjalë e dy ditëve të fundit. Lidhur me këtë ka pasur reagime të ashpra nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

Mësohet se Ademi i ka dërguar një shkresë zyrtare prefektit të Shkodrës, Valdrin Pjetri dhe kryeministrit Edi Rama që të anulojë këtë vendim, të cilin e ka konsideruar si absurd.

Në letrën që mban datën 18 prill, Ademi ka argumentuar qëndrimin e saj, ku shkruan se "Bashkia e Shkodrës është një ndër qendrat më të mëdha, me një histori të veçantë në arsim, qytet universitar, me gravitetin më të lartë social, kulturor, ekonomik dhe administrativ në qarkun e Shkodrës dhe në rajon dhe nuk duam ta besojmë që larimi tashmë i dy drejtorive të rëndësishme si ajo për Ujitjen e Kullimin po ashtu edhe drejtorisë për Arkivat, do të pasohet edhe nga largimi i DAR".

Për këtë arsye ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka sjellë argumente se përse është marrë ky vendim. Shahini është shprehur se kjo zhvendosje është bërë me qëllim që të mos ketë dy drejtori rajonale, në një qytet, nisur nga fakti që në Shkodër është vendosur Drejtoria Rajonale e shërbimeve shëndetësore.

"Themelimi i këtyre 4 drejtorive – me zyra në Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë – është bërë duke ndjekur modelin e Ministrisë së Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale – rrjedhimisht vendimi është që mos t’i vendosim 2 drejtori rajonale në të njëjtin qytet. Për shembull, Drejtoria Rajonale e shërbimeve shëndetësore për veriun është në Shkodër, ndërsa ajo për arsimin është në Lezhë. Por Shkodra – si të gjitha bashkitë e tjera – do të ketë zyrën e saj arsimore që mbulon të gjitha shkollat e Bashkisë Shkodër. Pra ideja është që drejtoritë rajonale të shëndetësisë dhe ato të arsimit parauniversitar të jenë në qytete te ndryshme, në mënyrë që sa më shumë shërbime të jenë sa më afër qytetarëve", tha Shahini.

Ajo ka theksuar se nuk do të ketë largime nga puna, por një riorganizim të stafit, por ka bërë të ditur, se do të ketë shkarkime të atyre drejtorëve, për të cilët ka informacione se kanë funksionuar në kundërshtim me rregullat. Në fund, ministrja ka prezantuar edhe ndryshimet që do të ndodhin në zyrat rajonale, me aplikimin e reformës në administratën publike./b.l/noa.al/