Transmetuar më 20-04-2019, 00:21

Një ditë pasi u shpall kryetare e grupit parlamentar të PD-së, Rudina Hajdari përmes një statusi në Facebook, thotë se grupi i krijuar është në përputhje me rregulloren e kuvendit, ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Ajo thotë, se bashkë me Myslim Murrizin, vijojnë të jenë pjesë e grupit Parlamentar të PD-së, i cili u shkri kur PD vendosi të lërë mandatet.

Ky fakt,- thotë Hajdari,- nuk pengon krijimin e një grupi tjetër te djathtë.

Ajo i referohet nenit 15 të rregullores së kuvendit, ku përcaktohet se për krijimin e një grupi parlamentar, kërkohet një minimum prej 7 deputetësh.

Çdo deputet, mund edhe të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit”- shkruan Rudina Hajdari.

Ndërsa shton: "Nuk jemi në kushtet e largimit nga Grupi Parlamentar i PD (dhe nuk është i vlefshëm kushti i afatit 6 mujor) por në rrethanat e gjendjes së faktit ku deputetët e Kuvendit në bazë përkatësisë partiake apo të orientimit politik në përputhje me Rregulloren vendosin për krijimin e Grupit Parlamentar".

Sipas saj Grupi Parlamentar Demokrat është krijuar mbi bazën e orientimit politik të djathtë, me qëllim zgjidhjen e krizës politike përmes Reformimit të sistemit zgjedhor (politik), përfaqësimin e vërtetë dhe me integritet të Demokratëve dhe oponencës qytetare në Kuvend si dhe misionin për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.