Transmetuar më 20-04-2019, 10:02

Interpol Tirana ka ekstraduar drejt SHBA-së dy shtetas të kërkuar nga Interpol Washingtoni. Në kuadër të bashkëpunimit me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë dhe Hetimit pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe Interpol Washingtonin/SHBA, u bë ekstradimi nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës i shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të arrestuar në Shqipëri.

Më kontretisht dy të ekstraduarit janë Vincent DeCaro dhe Arbër Isaku, që u vunë në pranga teksa kishin tentuar të largoheshin drejt Kosovës nga pika e kalimit kufitarë Morinë.

Arbër Isaku është një shqiptaro-amerikan i lindur dhe rezident në Nju York, por prej disa muajsh me qëndrim në Shqipëri ku kishte hyrë në mënyrë të ligjshme.

Isaku 29 vjeç, rezulton se është arrestuar nga policia amerikane më 27 gusht 2017, afro një vit më parë nga policia e Konektikat. Gjatë kontrollit të banesës së Isakut, agjentët amerikanë kanë mundur të sekuestrojnë 160 gr fentanyl dhe 200 tableta 30 gr të dyshuara si lëndë psikotrope.

Isaku dhe DeCaro pasi kishin krijuar në një kompleks pranë rrugës së Kavajës, laboratorin e prodhimit të drograve sintetike.

Sipas letër-porosisë së autoriteteve amerikane eksperti i përzierjeve kimike dhe realizimit të lëndëve narkotike sintetike ishte De Caro. Nga hetimet, rezulton se tregu në të cilin operonin me aktivitetin e tyre të paligjshëm dy të arrestuarit ishte portal “DarkËeb” në të cilin të fshehur pas pseudonimeve personat kryejnë tregti droge dhe arme.

Sipas dokumentit, agjentët amerikanë kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare të ekzaminohen të gjitha pajisjet elektronike të sekuestruara të arrestuarve si dhe IP linja e internetit përdorur nga De Caro dhe Isaku gjatë periudhës që ata kanë qëndruar në Shqipëri.

Shtetasit e mësipërm ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Washingtoni/SHBA, pasi Gjykata e Connecticut/SH.B.A. në vitin 2018 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope” parashikuar nga Kodi Penal i SHBA-së.

Arrestimi provizor i shtetasve të mësipërm me qëllim ekstradimi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është bërë në datën 21.09.2018 gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Shërbimin Diplomatik të Sigurisë dhe Hetimit pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkura të Amerikës në Tiranë dhe Interpol Washingtonin/SHBA.

Shtetasit e mësipërm iu dorëzuan Oficerëve të Policisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Aeroportin e Rinasit./b.l/noa.al/