Transmetuar më 20-04-2019, 15:05

Nuk flini orët e duhura- Nëse nuk arrini që të humbni peshë, ndoshta është për shkak se flini më pak se 7 orë në ditë. Kjo është norma minimale e gjumit, dhe nëse flini kaq stimuloni hormonin e ngopjes, leptinën, niveli i së cilës bie në rast se flemë pak.

Mos harroni se nëse flini më pak prireni që të konsumoni më shumë dhe ndodh që të preferoni vaktet e shpejta dhe me shumë kalori.

Pini pak ujë dhe e teproni me pijet e tjera- Pirja e paktë e ujit është një tjetër shkak që pengon në humbjen e peshës. Ndaj këshillohet që të pini minimalisht 1.5 litra ujë në ditë, pasi në të kundërt nuk lejoni që të funksionojë siç duhet mëlçia, roli i së cilës është që ta konvertojë yndyrën në energji. Pirja e ujit, ndër të tjera redukton ndjesinë e urisë si dhe largon toksinat nga trupi. Evitoni zëvendësimin e ujit, me lëngje frutash të gatshme.

Metabolizmi i ngadaltë- Sidomos me kalimin e moshës, metabolizmi ngadalësohet dhe nuk jep rezultatet e shpresuara. Shpesh ndodh që të ndjekim dieta jo shumë të ekuilibruara, ndaj është e rëndësishme që të shkojmë tek dietologu. Sidomos për femrat me arritjen e moshës së menopauzës shtohen vështirësitë për të humbur peshë dhe metabolizmi bëhet më i ngadaltë.

Përjetimi i periudhave tejet stresuese- Stresi mund të jetë një tjetër shkak që pengon në dobësim. Bëhet fjalë për një gjendje që shkakton ndryshime në organizmin tonë, prodhon kortizol, hormonin që ndihmon përdorimin e sheqerit dhe yndyrës për të prodhuar energji, duke stimuluar kësisoj insulinën dhe ndjesinë e urisë. Për këtë arsye, në periudha shumë stresuese, priremi të konsumojmë ushqime me yndyrë dhe me sheqer, duke stimuluar kësisoj shtimin e peshës.

Nuk alternoni dietën me aktivitetin fizik- Një dietë e ekuilibruar është më efikase nëse alternohet me aktivitet të rregullt fizik. Kjo pasi ndihmon në djegien e kalorive dhe bonifikon muskulaturën, shkruan noa.al. Nëse nuk keni kohë apo dëshirë për të shkuar në palestër, do ju mjaftojë një shëtitje prej 40 minutash në ditë, në mënyrë që të përshpejtoni metabolizmin. Gjithashtu këshillohet të përdorni shkallët në vend të ashensorit. /a.y/noa.al