Transmetuar më 20-04-2019, 15:57

Partia Socialiste është e vendosur për të shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit edhe nëse Partia Demokratike dhe Levizja Socialiste për Integrim vendosin përfundimisht të bojkotojnë procesin.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla paralajmëroi nga Elbasani opozitën dhe mbështetësit e saj me burg, nëse do të tentojnë të pengojnë zgjedhësit të shkojnë në votim apo të dëmtojnë qendrat e votimit.

"Ta harrojë Monika, Luli e Saliu që të mund ta pengojnë popullin. Nuk e bëjnë dot, është vepër penale. Dënohet me deri në 7 vite burg kushdo që pengon zgjedhësit të shkojnë në votim, kushdo që tenton të dhunojnë qoftë derën e qendrës së votimit,"- u shpreh Balla.

Balla tha më tej se PS në zgjedhjet vendore do të fitojë edhe ato bashki, të cilat deri me sot janë qeverisur nga PD dhe LSI, duke e cilësuar si opozitë pa alternativë.