Transmetuar më 20-04-2019, 18:16

Ani Ruci

Deutsche Welle

Opozita e re zyrtarizoi të premten (19.04.2019) në Parlament formimin e 2 grupeve të reja parlamentare për të mundësuar kështu funksionimin pothuajse normal të Parlamentit shqiptar me 102 deputetë. Sipas Kushtetutës duhen 140 deputetë pjesëmarrës në Kuvend. Njëri grup quhet ”Grupi Parlamentar Demokratik” dhe drejtohet nga deputetja e Partisë Demokratike, (PD) Rudina Hajdari, e cila refuzoi vendimin e PD, në shkurtin e kaluar, për të hequr dorë nga mandati i saj parlamentar.

Në këtë grup bën pjesë edhe deputeti  i PD, Myslim Murrizi, që si Hajdari refuzoi të njëjtin vendim si edhe 6 deputetë që morën mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prej listës së kandidatëve për deputetë të PD, në zgjedhjet parlamentare 2017. Grupi tjetër parlamentar opozitar, i quajtur "Grupi i Pavarur" është formuar nga deputetët e rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim, po nga listat e kandidatëve për deputetë dhe përbëhet po nga  8 deputetë.

Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokratik, deputetja e PD, Rudina Hajdari dha të premten detaje për orientimin e grupit dhe synimet e tij. "Grupi Parlamentar Demokratik është formuar në përputhje të plotë me Rregullat e Procedurës së Parlamentit, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Ky grup formohet sipas një orientimi të djathtë politik që synon zgjidhjen e krizës politike përmes reformimit të sistemit elektoral politik; përfaqësimin e vërtetë dhe  integritetin e demokratëve, të opozitës së qytetarëve në Parlament; integrimin e Shqipërisë në BE"  theksoi kryetarja e grupit, Rudina Hajdari. Por po kaq e rëndësishme sa synimet e grupit duket edhe ideja e një alternative të re politike të djathtë. Rudina Hajdari e artikuloi mjaft qartë kur theksoi se „grupi i saj parlamentar po ecën drejt shndrrimit në një forcë të re politike".

Situata politike – në favor të lindjes së alternativës së re opozitare

Situata politike në Shqipëri e favorizon idenë e Rudina Hajdarit. Janë dy opozita, që burojnë po nga PD, që kanë qëndrime të  kundërta ndaj angazhimit në procesin politik, pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale: opozita e re në Parlament deklaron pjesëmarrjen, tjetra, në rrugë e sheshe deklaron mospjesëmarrjen, për sa kohë nuk do të jetë larguar kryeministri Rama dhe nuk do të jetë ngritur një qeveri kalimtare që të „organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme".

Krijimi i një force të re politike të djathtë do t’i lejojë opozitës së re parlamentare të regjistrohet në KQZ si subjekt politik, të paraqesë kandidatët e vet brenda afateve kohore të parashikuara në Kodin Elektoral dhe të përgatitet për fushatën elektorale. Por shpresat që, opozita e re e përfaqësuar me grupin parlamentar demokratik dhe ajo e protestave, të marrin pjesë në zgjedhjet lokale si një opozitë e tërë nuk janë shuar. Për me tepër zyrtarizimi i 2 grupeve parlamentare opozitare është shoqëruar me përsëritjen e apelit nga faktori ndërkombëtar, drejtuar PD dhe LSI , që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale si një opozitë e plotë. "Opozita ka nevojë për të biseduar me njëra- tjetrën dhe me qeverinë për të gjetur një zgjidhje për një pjesëmarrje të plotë në  zgjedhje. Është koha për dialog," apeloi këtë fundjavë Ambasadori i BE në Tiranë, Soreca.

PD: Nuk do lejojmë zhvillimin e zgjedhjeve lokale

Por shenjat se palët mund të ulen në tryezën e bisedimeve ende mungojnë. Kryeministri Rama ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se „mandati që i kanë dhënë votuesit PS, të qeverisë vendin deri në 2021, nuk mund të negociohet. PS nuk jep pushtet në tavolinë. Opozita të vijë në pushtet me anë të votës, konkurrimit në zgjedhjet parlamentare të rradhës, në 2021."

Në aksionin e deritanishëm politik të opozitës janë vetëm protestat dhe jo dialogu. Protestat e saj antiqeveritare rifillojnë në muajin e ardhshëm, më 11 Maj. Por përveҫ mospjesëmarrjes PD deklaroi së fundmi, se do "të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”.