Transmetuar më 20-04-2019, 19:20

Në mbledhjen që pritet të zhvillohet ditën e martë, Komisioni Qendror të Zgjedhjeve ka lajmëruar, se priten të regjistrohen edhe nëntë parti të reja që do të garojnë në zgjedhjet lokale të parashikuara të zhvillohen më 30 qershor 2019.

Afati ligjor për regjistrimin e partive politike për këto zgjedhje mbaron të dielën, më datë 21 prill, po për shkak të ditës së pushimit, do të shtyhet deri të martën.

Kjo situatë e paprecedentë me rrjedhën demokratike në Shqipëri, në kushtet kur vendi ka vetëm më pak se 3 dekada përvojë pluralizmi pas gjysmëshekulli diktaturë moniste, ka nxitur të vegjlit e politikës që të gëlojnë duke tentuar të krijojnë terren për ta dhe të shfrytëzojnë rastin.

Partitë e reja që do të regjistrohen të martën nga KQZ për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të datës 30 Qershor, janë:

Partia e Reformave Demokratike Shqiptare, Demokracia Sociale, Partia Zgjidhja, Pajtimit Kombëtar, Partia Social-Punëtore, Partia Ligj dhe Drejtësi, Fryma e Re Demokratike, Aleanca Kuq e Zi, Partia Lista e Barabartë.

Deri tani në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar 25 parti politike.

E ndërsa opozita reale, ajo që deri dje ishte në Parlament, qëndron jashtë duke i prirë protestave të mbështetësve opozitarë, këto 25 parti, në pamje të parë po duket sikur ndalën mungesën e pluralizmit në vend.

Megjithatë, shumëkush e di se gjithë këto parti, nuk kanë asnjë mbështetje në elektorat.

Nëse do të zhvilloheshin zgjedhje dhe do të merrnin vota, ato nuk do të ishin nga votuesit e tyre, por thjesht shfrytëzim i krizës politike. /noa.al/