Loading...
Presidenti Meta uron Pashkët, apelon për bashkëpunim
Transmetuar më 20-04-2019, 22:18

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët për Pashkët, teksa e ka shfrytëzuar këtë moment për të përcjellë edhe mesazhe për politikën.

Në një mesazh urimi, Presidenti Meta thotë se ky është një moment reflektimi për t’i treguar Evropës se vlerat tona triumfojnë mbi egon dhe interesat personale të secilit prej nesh.

Urimi i Presidentit Meta

Të dashur besimtarë katolikë dhe ungjillorë!

U uroj nga zemra ju dhe të gjithë shqiptarëve: Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët, festën e Ringjalljes, festën e jetës dhe të dritës!

Falë besimit të palëkundur në Zot, që ripërtërihet e shumëfishohet në këtë ditë të shenjtë, le të rigjejmë brenda vetes dhe shoqërisë sonë, forcën dhe kurajon për të menduar, jetuar dhe punuar në harmoni e begati, sinqeritet, solidaritet e bashkëpunim, për një të nesërme më të mirë, për të ardhmen e lumtur të vendit e popullit tonë.

Festa frymëzuese e Pashkëve është një moment reflektimi. Kjo ditë e shenjtë na ofron sërish mundësinë që secili prej nesh të përmbushë detyrat e përgjegjësitë e veta, jo vetëm para Zotit, por edhe ndaj njëri-tjetrit, çdo ditë e parreshtur, duke u përpjekur që krahas bashkëjetesës së shkëlqyer fetare, t’i vërtetojmë botës e familjes europiane se vlerat e vyera të kombit tonë me të cilat krenohemi, triumfojnë mbi egon dhe interesat personale të secilit prej nesh. Jam i bindur se shqiptarët gjithmonë kanë pasur aftësinë e mençurinë, por edhe kanë ditur të gjejnë mirëkuptimin e të forcojnë bashkëpunimin për hir të interesit kombëtar.

Sot gjithashtu kemi nevojë të reflektojmë për më shumë vëmendje edhe ndaj shtresave në nevojë, të pamundurve e të sëmurëve, fëmijëve e të moshuarve, të cilët meritojnë solidaritet e dashuri më të madhe prej nesh.

Në vigjilje të kësaj dite të shenjtë, uroj që mbarësia, paqja, begatia dhe lumturia të mbizotërojë tek familjet tona!

GËZUAR PASHKËT

Loading...
Loading...