Loading...
Njihuni me traditat e Pashkëve në Europë
Transmetuar më 20-04-2019, 22:25

Festimi i Pashkëve është një mundësi më shumë për tu zhytur në kënaqësinë e çokollatës. Të pasionuar pas saj, europianët konsumojnë mesatarisht çdo vit gati 2 kilogramë çokollatë për person.

Por nga Stokholmi në Lisbonë, ata festojnë secili ritin e Pashkëve në mënyrën e vet.

Kështu, këmbanat në Francë, lepurushi në Britaninë e Madhe, apo lepuri i egër në Austri.

Sipas traditës së krishterë, të gjitha produktet e ndaluara gjatë Kreshmës mund të konsumohen të dielën e Pashkëve.

Në orët e para të mëngjesit nis festa për më të vegjlit me lojën në kërkim të thesarit. Vezët me cokollatë të Pashkës fshihen nga prindërit nëpër shtëpi ose kopshte për tu gjetur më pas nga më të vegjlit.

Çdo shtet ruan traditat e tij.

Tradita e lepurit të Pashkëve, dikur simbol i pjellorisë dhe rilindjes së jetës, lindi në Gjermani përpara se të përhapej në SHBA nga emigrantët gjermanë në shekullin e XVIII -të.

Sipas legjendës, një grua e varfër, në pamundësi për t’i dhuruar fëmijëve të saj çokollata, zbukuron disa vezë dhe më pas i fsheh ato në kopsht. Fëmijët nga larg shohin një lepur dhe besojnë se ai i kishte shpërndarë vezët.

Që nga ajo kohë, fëmijët ndërtojnë një fole dhe e vendosin në kopsht me shpresën që lepuri i Pashkëve ta mbush gjatë natës plot e përplot me vezë.

Në Suedi dhe Austri është lepuri ai që sjell vezët me çokollatë. Në vendet anglosaksone lepuri i Pashkës është i bardhë, i ngjashëm me lepurin e Lizës në Botën e Çudirave.

Parada e kapeles së Pashkëve është një traditë në Britaninë e Madhe. Të vegjlit britanikë shpesh krijojnë kapele të mëdha të zbukuruara me lule të stinës.

Nëse Krishtlindja është një festë familjare në Itali, italianët kanë një tjetër koncept për Pashkët. Krishtlindja në familje, Pashka me cilin të dëshironi.

E quajtur “Pasquetta”, e Hëna e Pashkëve është rasti për të organizuar një piknik me familjen në fshat, për të shijuar vezët dhe ëmbëlsirën tradicionale për Pashkë “colomba-n’’.

Sipas disa historianëve, kjo traditë lidhet me udhëtimin e dy dishepujve të nisur nga Jerusalemi në Emmaus.

Në Spanjë, ata që festojnë Pashkët mund të shijojnë skulptura të bëra me çokollate në formën e një kështjelle përrallë ose një anije piratësh.

Në Republikën Çeke, qyteti i Pragës organizon një treg të Pashkëve gjatë Javës së Shenjtë. Kjo shërben edhe si një mundësi për të organizuar një garë disi të veçantë, ku lepujt kapërcejnë pengesat.

Loading...
Loading...