Transmetuar më 21-04-2019, 11:29

Teksa kanë kaluar afro dy javë nga grabitja e bujshme e 9 prillit në aeroportin “Nënë Tereza”, Prokuroria e Krimeve të Rënda hidhet në veprim.

Duke nisur nga fillimi i javës që vjen, hetuesit që po merren me çështjen, do të nisin të marrin dëshmitë e drejtuesve të aeroportit.

Drejtuesit janë thirrur për të dëshmuar lidhur me masat e sigurisë si dhe rrethanat e ngjarjes, e cila u pasua me një viktimë nga radhët e grabitësve.

Kjo pasi krahas punës për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, nga ana e organit të akuzës po hetohet edhe për të zbuluar përgjegjësit për dyshimin e sigurisë në aeroporti.

Pikërisht dështimi i sigurisë bëri që policia dhe Ushtria të marrin nën kontroll hapësirën e aeroportit.

Grabitja e parave ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me pesë persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.

Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.

Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë. /a.y/noa.al