Transmetuar më 21-04-2019, 14:32

Kryedemokrati Lulzim Basha u ndal ditën e sotme te kisha e Shna Ndout në Laç, me rastin e Pashkëve katolike.

Një vizitë gjatë së cilës ai kreu të gjitha ritet fetare, u lut, ndezi qiri, dhe hodhi para në arkën e ndihmave.

Nëpërmjet fotografive dhe videos më poshtë mund të shihni vizitën e kryedemokratit te kisha e Laçit.

Ndërkohë paraditen e kësaj të diele ai publikoi një video live nga kisha, bashkë me urimin për shqiptarët.

“Lutem që kjo ditë e ngjalljes së Krishtit të jetë dita e ngjalljes së shpresës dhe besimit tek paqja dhe e nesërmja e sigurtë, nën drejtimin e Zotit fuqiplotë. Sot kam një urim për të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, që Zoti të na e ndriçojë rrugën e bashkimit, bashkimit kundër padrejtësive, për ta çliruar Shqipërinë nga padrejtësitë, për t’u bashkuar të gjithë si vëllezër e motra, nën Perëndinë, nën Zotin, në këtë ditë të ngjalljes së Krishtit dhe ngjalljes së shpresës, për një Shqipëri të paqes, për një Shqipëri të së ardhmes më të mirë për çdo familje, për çdo shqiptar dhe për të gjithë bijtë, vogëlushët e shqiptarëve”, tha Basha në urimin e tij.

Kjo vizitë e tij në vendin e shenjtë vjen teksa opozita ndodhet jashtë parlamentit pas djegies së mandateve dhe teksa Basha prin valën e protestave që zgjasin prej më se dy muajsh. /a.y/noa.al

Basha uron Pashkët me video nga Kisha e Laçit: Zoti na ndriçoftë rrugën e bashkimit