Loading...
“Princi i Libofshës”: Plani im për të legalizuar kanabisin në Shqipëri
Transmetuar më 22-04-2019, 09:30

Të gjitha urdhëresat e kanabisit do i gjeni në projektin kontravers të Alexandre de Basseville, zbulesën e të cilit e bën në këtë rrëfim. Pas nismës së shpalljes së Principatës së Libofshës, fotografi me famë botërore po bën gjithçka për ta kthyer Shqipërinë në “tokën e bekuar” të kultivimit të bimës së ndaluar.

Për “Panorama Plus”, ai zbulon strategjinë për legalizimin e kanabisit, bashkëjetesën strikte me Egla Harxhin dhe djalin e tyre, e të tjera sekrete nga jeta e tij.

Princi i Libofshës shpall planin për legalizimin e kanabisit. A mund ta konsiderojmë një utopi për realitetin shqiptar?

Së pari, më duhet të shpreh se mbi shpatulla mbaj 127 tituj fisnikërie, si pasardhës i mbretit Harald të Skandinavisë dhe rrjedhimisht pasardhës i mbretit të parë të Shqipërisë, Karl i Anzhuve, i cili e krijoi mbretërinë e parë shqiptare në vitin 1272. Ndjej që i përkas kësaj toke, duke më bërë të ndihem shqiptar më shumë se çdo shqiptar. Siç e kam shprehur edhe më herët, nuk e konsumoj kanabisin dhe nuk e kam vlerësuar asnjëherë këtë bimë si produkt për tymosje. Kjo nuk do të thotë se nuk e mbroj tezën për legalizimin e kanabisit si potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e biznesit, zhvillimin ekonomik dhe financiar.

Pra, në konceptin tuaj, kanabisi ka një tjetër anë medaljeje. Cila është?

Kanabisi është pjesë e traditës shqiptare. Ku kryesisht në zonat rurale përdorej nga gjyshërit në formën e çajit për të përmirësuar gjumin apo simptomat e gripit. Duke u bazuar te raportet e OBSHsë (Organizata Botërore e Shëndetësisë) kanabisi sot këshillohet për trajtimin e njerëzve që vuajnë nga epilepsia, migrena, kanceri dhe një listë të gjatë sëmundjesh.

Përkrah përfitimeve mjekësore, e gjejmë kanabisin në formën e vajit esencial, vajit për masazh si dhe një shumëllojshmëri të produkteve kozmetike. Ajo që e bën këtë bimë akoma më interesante është fakti se kërpi, si element përbërës i bimës së kanabisit, ka veti te panumërta, që nga prodhimi i tekstileve, letrës, si dhe përdorimi në strukturat ekologjike për izolim. Është fakt që kërpi përmban një përqindje të lartë fibrash, nga ku mund të nxirren 30 000 lloje produktesh për përdorime të ndryshme. Si shumë specie bimore, kanabisi është një burim me vlerë të madhe ekonomike dhe, siç mund ta konstatoni, sjell zhvillim në sektorë të ndryshëm të biznesit.

Duke qenë se aktualisht po të kapesh me një rrënjë apo cigare hashash dënohesh me burg në Shqipëri, si mund ta bindësh qeverinë që të ndryshojë ligjin e ashpër?

Siç e shpjegova, kanabisi nuk është vetëm një produkt për tymosje, sepse përdorimi në mënyrë efektive zëvendëson barnat për depresionin dhe stresin, që është një problematikë e shoqërisë së sotme. Kjo qeveri dhe ky sistem politik është i mbushur me politikanë mediokër dhe të papërgjegjshëm, që nuk kanë krijuar asnjë ekonomi që nga rënia e komunizmit dhe mbarimi i luftës civile. Politikanët shqiptarë nuk kanë akses dhe nuk janë në nivel për të bashkëpunuar me rrjetin ndërkombëtar. Ata nuk zotërojnë aftësitë për të zhvilluar vendin dhe, mbi të gjitha, nuk kanë asnjë plan apo vizion ekonomik për vendin. Vendosmërinë time për zhvillimin e një ekonomie të ligjshme në Shqipëri nuk janë në gjendje as ta perceptojnë, jo më ta realizojnë.

Me këtë projekt, ti synon ta kthesh Shqipërinë në shtetin kryesor për kultivimin e hashashit. Ke bërë një studim konkret dhe në cilat zona të vendit mund të bëhet kultivimi?

Do të ishte një budallallëk të mendohej se propozime të tilla bëhen pa studim. Jo vetëm që e kam bërë këtë analizë, studim tregu për këtë produkt, po ju duhet të kuptoni që nuk do të bëja asnjë projekt pa ndihmën dhe këshillimin e vëllazërisë, grupeve financiare ndërkombëtare e pa folur për aktorët e mëdhenj të tregut ndërkombëtar.

Nëse e keni dëgjuar atë që ka ndodhur brenda vitit, për shembull, në Kanada dhe Kaliforni, buxhetit të shtetit i janë shtuar disa miliarda që nga momenti i legalizimit të kanabisit. Analistët e bankës “Meryll Lynch” kanë punuar një raport, i cili parashikon që për 10 vitet e ardhshme vetëm në tregun europian do nxirret si përfitim një minimale prej 210 trilionë dollarësh. Shqipëria është një tokë hyjnore në çdo kuptim të fjalës, një tokë fertile ku në princip rritet çdo gjë. Kjo tokë pjellore bën që kanabis të rritet nga veriu në jug, duke kaluar përmes Shqipërisë Qendrore.

Shqipëria është vendi që nga pikëpamja klimaterike, kultivimi i kanabisit ndodh në mënyrë natyrale?

Kultivimi i kanabisit në Shqipëri duhet të kuptoni se ndodh në mënyrë natyrale nëpër fshatra, ndërsa po të marrim shembullin e Kalifornisë operohet në formë sintetike dhe kultivimi bëhet në sera nën llampa UHV, që, në fakt, dëmtojnë disa elementë të rëndësishëm te kjo bimë, të cilat janë të vlerësuara nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) për kurimin e disa sëmundjeve.

Parashikimi, që kam bërë në projeksionin vjetor, mbas legalizimit të kanabisit do të ishte krijimi i minimalisht 350.000 vendeve pune me një fitim kapital prej 20 miliard dollarësh vetëm me eksportin dhe shitjen në bursën e New York-ut, Nasdaq. Çfarë është e rëndësishme të them se me këtë projekt krijohet mundësia për të negociuar borxhin në një projeksion afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, duke e vlerësuar një shumë prej 120 miliardë dollarësh, e cila do të jepte mundësinë të arrihej shpërthimi i tregut shqiptar.

Si mund të bëhet parandalimi që ky vend, përveç kultivimit, të mos radhitet ndër vendet e para për përdorimin e tij nga të rinjtë?

Ndalimi i diçkaje te rinia krijon gjithmonë efektin e kundërt. Diçka të ndaluar do gjejnë gjithmonë mënyrën për ta konsumuar. Janë ligjet e natyrës njerëzore, fatkeqësisht. Sot rinia e këtij vendi e konsumon kanabisin në masë, si mendoni është më mirë ta kontrollojmë apo ta lejojmë konsumin në formë ilegale, duke rrezikuar fëmijët, të cilët vihen në kontakt me njerëz të paligjshëm.

Mendoni se është normale që një i ri të futet në burg për një cigare hashash, që kapet duke konsumuar?

Fakti që Shqipëria është prodhuese nuk nënkupton faktin se ata do të jenë konsumatorët më të mëdhenj. Mjafton të shihni Holandën dhe Spanjën, për shembull, nuk ka pasur rritje të numrit të konsumatorëve, por në të kundërt.

Vë re se ju gazetarët bëni një ndalim vetëm në kanabisin si produkt për konsum tymosjeje dhe në asnjë moment nuk shoh se jeni të vetëdijshëm për raportet e OBSH (Organizata Botërore e Shëndetsisë), që, unë mendoj, se janë jashtëzakonisht serioze në lidhje me kurimin sëmundjeve, sidomos tek fëmijët, si dhe për çrregullimet e stresit. Laboratorët farmaceutikë, që nga raportet e OBSH-së, kanë ndryshuar totalisht vizionin e tyre dhe janë hedhur në aksion për të integruar kanabisin në barnat e tyre.

Një Shqipëri nën tymosje, a është gati ky vend për të jetuar nën ekstazën e ligjëruar si Holanda?

Shoqëria shqiptare është e gatshme të jetojë në një mirëqenie ekonomike, të jetë në gjendje për të ushqyer familjen dhe në disa raste pse të mos ëndërrojë pak dhe për një udhëtim e të marrë disa pushime një herë e në kaq kohë. Të gjitha bizneset që janë fitimprurëse janë të mira për t’i marrë në konsideratë.

Biznesi është biznes e paraja është para, aq më tepër kur kjo do të kthehej në një motor të zhvillimit ekonomik për Shqipërinë. Shkoni pyesni amerikanët për këtë, ata do qeshin. Duhet të ndalojmë të qenurit hipokritë e të themi se është utopi apo e pamundur. Gjithëkush sot në Shqipëri që nuk jeton dot pa “Instagram”-in e tij është i vetëdijshëm çfarë ndodh në pjesën tjetër të botës. Kur do vijë ajo ditë që do t’i zboni këta komunistë hajdutë e diktatorë të kamufluar, të cilët vetëm po ngadalësojnë evolucionin e vendit.

Ti vetë konsumon kanabis, në rastet kur të duhet të arrish të tjera dimensione si shpirt artisti që je?

Edhe një herë po e përsëris, nuk konsumoj hashash, por nuk është e thënë që nuk konsumoj një produkt për të mos u përqendruar në shitjen dhe potencialin e vërtetë të produktit. Kam punuar si drejtor kreativ në kompaninë LVMH (Louis Vuitton Mowt Hennessy) dhe nuk është për këtë arsye që kam mbajtur çanta Louis Vuiton ose Dior. Mbrojtja e produkteve të konsumit dhe bërja legale që është propozuar nga OBSH nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara, nuk është e lidhur me prirjet personale.

Po njerëzit e rëndësishëm në këtë vend, duke filluar nga politikanët, mendon se e përdorin, pavarësisht se këtu është e ndaluar?

Unë mendoj se shumë njerëz konsumojnë kanabis, por jo vetëm dhe kam parë kokat e politikanëve dhe sjelljet e tyre që duken më shumë si përdorues të drogave të forta si kokaina, por asnjëherë nuk gjykoj asnjeri. Njerëzit bëjnë atë që duan, por është një problem kombëtar nëse nuk e bëni punën tuaj. Unë jam për çfarëdo argëtimi dhe mendoj që të rriturit mund të vendosin jetën e tyre pa ndikuar në jetën e njëri-tjetrit. Megjithatë, politika është një devocion, nuk ke të drejta ke vetëm detyrime.

Të tymosësh është ekstaza më e bukur, që duhet provuar patjetër, të paktën një herë në jetë?

E kam të pamundur të jap një mendim për këtë pyetje, pasi nuk e konsumoj vetë. Personalisht, jam më i dhënë mbas verave të mira dhe meqë jemi te vera, marr shkas për të thënë se në bashkëpunim me një mikun tim shqiptar Atlantin jemi duke nxjerrë një linjë vere me kualitet premium, e cila do të jetë në treg në muajt e ardhshëm. Kështu që, mendoj se gjithsecili ka pasionet dhe mënyrën e tij të të argëtuarit për aq kohë sa e bën këtë me vetëdije, me pëlqimin e individit dhe sigurisht më e rëndësishmja, duke mos cenuar lirinë e tjetrit.

Ndalojmë te familja që keni krijuar. Djalit Luxifer, kur të rritet, çfarë do i mësosh për të?

Im bir do të rritet nën drejtimin që kërkohet nga familja dhe nga detyra, e cila është e përcaktuar nga kode jashtëzakonisht të vështira të një protokolli, që daton nga mbreti Karli i V. Ky protokoll është bazuar në detyrat e një Princi të shkruara në kushtetutën e parë të quajtur: “Dane Law”. Ne nuk kemi të drejta që na lejojnë të bëjmë atë që duam, por atë që duhet të bëjmë për popullin, detyrën ndaj popullit dhe mirëqenies së përbashkët.

Partnerja jote shqiptare, Egla Harxhi, u shpreh se jetoni shumë pak bashkë për shkak të angazhimeve të tua. Cili është roli i saj në jetën tënde dhe është familja, që ju keni, modeli i së ardhmes pa divorc?

Nuk mund të them se ky model do të ulte divorcet në familje, por unë jam rritur në një familje, ku gratë e familjes ishin të forta me karakter, të vendosura dhe me pikëpamje të strukturuara sipas vlerave dhe kodeve të familjes.

Edhe pse mund t’ju duket habi, unë jam me zakonet e vjetra familjare në thelb, jam një person tej mase i strukturuar dhe i organizuar, kjo ka qenë një nga sfidat e Eglës, pasi lëvizja më e vogël në shtëpi më nervozon. E dua çdo gjë në vendin e vet, dua rregullin dhe pastërtinë. Egla e ka pranuar me bindje të plotë këtë gjë, pasi më ka thënë gjithmonë që ky rregull e frymëzon për t’u përmirësuar dhe për t’u mësuar më një disiplinë, e cila është e vetmja mënyrë për të avancuar.

Nuk duhet të jetë aspak e lehtë për Eglën apo jo?

E pranoj që nuk duhet të jetë aspak e lehtë për Eglën të jetojë së bashku me mua, pasi jeta ime është e ndërtuar e tillë, ku jam gjithë kohën në udhëtime biznesi, por asnjëherë nuk e kam detyruar për asgjë. Kur e marr me vete në udhëtimet e mia, ka njohur aq shumë njerëz me rëndësi, saqë ndonjëherë ngatërron emrat e tyre (qesh).

Vendosmëria e Eglës e frymëzuar nga figurat e familjes, si gjyshi i saj Tomorr që fatkeqësisht ndërroi jetë vitin e kaluar (me të cilin kisha një marrëdhënie tepër të veçantë, pasi ndanim të njëjtat koncepte për vendin, politikën kodet dhe nderin), i kanë dhënë Eglës një dimension tjetër për të cilin ndihem krenar. Unë jam jashtëzakonisht i vetëdijshëm për rolin e Eglës si nëna e Luxiferit dhe që nga fillimi ajo ka gjetur një ekuilibër me mua për këtë.

Loading...
Loading...