Transmetuar më 22-04-2019, 18:16

Gjeti vdekjen bashkë me paratë që ruante me fanatizëm. Iu kishte thënë miqve të tij se nuk kishte besim te bankat, kështu 61-vjeçari nigerian Hyginus Obi, prej vitesh me banim në Schio të Vicenza, në Itali, u gjet i vdekur të hënën e 15 prillit në banesën e tij, bashkë me thesarin.

Obi i kishte fshehur shumën e majmë të parave, në rrobat e trupit.

Trupi i pajetë u gjet nga policia në dhomën e gjumit, pasi u lajmëruan nga një fqinj, i cili prej disa ditësh nuk e shihte 61-vjeçarin dhe as nuk i përgjigjej në telefon.

Mjekët konfirmuan se vdekja e Hyginus, kishte ndodhur për shkaqe natyrale, ndërsa trupi u dërgua në morg, ku u bë edhe surpriza e madhe.

Mes rrobave u gjetën të fshehura 27 mijë euro, me prerje të ndryshme. Kështu policia nisi hetimet për të zbuluar origjinën e parave, ku e vërteta u zbulua nga miqtë e tij.

Ata thanë në polici se Obi i mbante me vete gjithë kohës paratë që kishte me vete, për shkak se nuk kishte besim tek bankat, shkruan noa.al. Aktualisht hetuesit po punojnë për gjetjen e trashëgimtarëve, pasi nigeriani jetonte i vetëm. /a.y/noa.al