Transmetuar më 23-04-2019, 01:16

Elis Bakaj ka marrë për dore Shahtjorin e Soligorskit dhe vazhdojnë të fitojnë pa ndalim në Bjellorusi.

Në 4 javët e para, skuadra e Elis Bakajt, vazhdon të fitojë dhe këtë herë viktima e rradhës është FC Gomel, e cila u mund me rezultatin e ngushtë 1-0.

Sulmuesi shqiptar nuk shënoi, por ka qenë deçiziv në rastin e golit, që u shënua në minutën e 81-të.

Ndonëse në vështirësi, ai ktheu një top të gjatë të nisur nga portieri, për shokun e tij të skuadrës, Janush, i cili më pas ka vijuar të shënojë.

Në Spanjë, Malaga e Keidi Bares arriti një fitore të rëndësishme në fushë të huaj përballë Alkorkon me rezultatin 1-4, duke u ngjitur në vendin e 6-të në renditje, teksa shpreson deri në fund për t’u rikthyer në La Liga.

Shqiptari ishte një ndër më të mirët në fushën e lojës, teksa nuk munguan elozhet e mediave spanjolle në përfundimin e sfidës.

Në Kroaci, Hajduku i Splitit ku aktivizohen 3 futbollistët shqiptarë, Ismajli, Tahiraj dhe Sahiti, ka thyer rekordin negativ prej 8 vitesh pa fitore në shtëpi ndaj Rijekës, duke i mposhtur këta të fundit ditën e sotme me rezultatin e thëllë 4-0.

Për sa i përket futbollistëve shqiptarë, mbrojtësi Ardjan Ismajli, u aktivizua 90 minuta në përballjen e sotme, duke bërë një paraqitje fantastike.

Ndërkohë që vlonjati Françesko Tahiraj u hodh në fushë në minutën e 60-të, duke zënë vendin e Jairo.

Shqiptari tjetër Emir Sahiti, nuk ishte i gatshëm në sfidën e sotme.

Në Itali, dy shqiptarët që militojnë në Serinë A, Thomas Strakosha dhe Frederik Veseli, janë mundur në ndeshjet e zhvilluar në shtëpi.

Lacio e Strakoshës është mundur 1-2 në Stadiumin “Olimpiko” përballë Kievos, në një ndeshje ku vendasit luajnë për afro një orë me 10 lojtarë.

Edhe Empoli i Veselit u mund 2-4 në fushën e vet SPAL-i, ndërsa si portieri, ashtu edhe mbrojtësi kuqezi ishin titullarë dhe luajtën gjatë gjithë ndeshjes në humbjet e skuadrave të tyre.