Transmetuar më 23-04-2019, 12:15

Lideri i Partisë Demokratik Lulzim Basha tha se koalicioni opozitar, marrëveshja e të cilit u firmos këtë të martë nga PD-LSI dhe aleatë të djathtë, PR, LZHK, PBDNJ, PAA, PDK dhe PDIU, do të zgjerohet më tej edhe me parti të tjera politike.

Apelin për t’ju bashkuar këtij koalicioni, Basha ja bëri edhe përfaqësuesve nga shoqëria civile dhe grupeve të tjera të interesit. Përmes këtij koalicioni tha Basha, do të krijohen themelet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe ndëshkim të krimit elektoral.

“Marrëveshja opozitare është jo vetëm kofirmim i mazhorancës së re politike, morale dhe numerike, por edhe përgjegjësi e fitores në zgjedhjet e ardhshme, të lira dhe të ndershme. Anagzhimi tjetër kryesor është të kthejmë vendimmarrjen në duart e shqiptarëve dhe nuk do lejojmë më një qeveri farse vetëm për interesa të vetat që kanë detyruar shqiptarët të ndërmarrin një eksod. Do angazhohemi fuqimisht që zgjedhjet e ardhshme të jetë të lira dhe të ndershme. Angazhohemi gjithashtu për çuarjen përpara të reformës në drejtësi”, u shpreh Basha.

Më tej ai shtoi se për këtë eshtë e domosdoshme të ndëshkohet krimi parlamentar që godet dhe ndëshkon në mënyrë të padrejtë jetën e qytetarëve dhe mbron kriminelët nga të cilët Rama ka marrë pushtetin. Misioni kombëtar sipas tij, është që t’i jepet fund tranzicionit politik.

"Nuk do të ketë zgjedhje farsë në Shqipëri, pa u ndëshkuar krimi elektoral, duke nisur me Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknuri, pa ndëshkuar kryeministrin Edi Rama. Akti i parë i këtij koalicioni do të jetë formësimi së bashku me faktorët shoqërore i platformës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, i reformimit të thellë të sistemit zgjedhor", tha Basha./b.l/noa.al/