Transmetuar më 24-04-2019, 01:47

Kostot e jetesës në kryeqytet janë rritur në 2019-n në raport me vendet e tjera të rajonit. Jetesa në Tiranë tashmë është po aq e shtrenjtë sa në Beograd dhe pak më e lirë në raport me Podgoricën.

Të dhënat janë përftuar nga portali Expatistan.com, i cili krahason kostot e jetesës midis qyteteve të ndryshme për individët që lëvizin për arsye punësimi në shtete të tjera.

Për të përcaktuar kostot e jetesës, portali i ka kategorizuar në 5 grupe: ushqim, strehim, veshje, transport, kujdes personal dhe argëtim.

Për vitin 2019, Podgorica mbetet qyteti më i shtrenjtë i rajonit. Në krahasim me Beogradin dhe Tiranën, kryeqyteti i Malit të Zi është vetëm 2% më i shtrenjtë. Atje kushton më shtrenjtë ushqimi, strehimi dhe transporti.

Ndryshe nga viti 2018, Tirana është po aq e shtrenjtë sa Beogradi, ku më shtrenjtë kushtojnë po ashtu ushqimi, strehimi dhe transporti.

Për vitin 2019, Shqipëria është më e shtrenjtë se Sarajeva, në të cilën një vit më parë jetesa për të huajt që zhvendosen atje ishte më e shtrenjtë se Tirana.

Diferenca në kostot e jetesës në krahasim me Tiranën është më e theksuar në Shkup dhe në Prishtinë. Shkupi është rreth 11% më i lirë se Tirana. Sipas portalit, atje kushton më shtrenjtë transporti (rreth 3% më shtrenjtë) dhe argëtimi rreth 28% më shtrenjtë.

Prishtina vijon të mbetet vendi më i lirë i Ballkanit Perëndimor. Të gjitha kategoritë janë më të lira se në Tiranë. Në total kostot e jetesës atje 30% më të lira.

Tirana, më e shtrenjta në rajon për veshjet dhe kujdesin personal

Veshjet dhe kujdesi personal janë më të shtrenjta në Tiranë në krahasim me kryeqytetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në krahasim me Beogradin dhe Shkupin, në Tiranë veshjet kushtojnë përkatësisht 2 dhe 3% më shtrenjtë.

Në krahasim me Podgoricën, ato janë 7% më të shtrenjta, ndërsa me Sarajevën rreth 9%. Prishtina mbetet kryeqyteti më i lirë për sa i përket veshjeve. Në raport me Tiranën, diferenca është e madhe, pasi të vishesh atje kushton rreth 75% më lirë.

Edhe për kujdesin personal, ku bëjnë pjesë tarifat e vizitave te doktori, çmimet e ilaçeve dhe çmimet e produkteve personale, Tirana është më e shtrenjtë (shiko tabelën më poshtë).