Transmetuar më 24-04-2019, 03:10

Autoritetet saudite, kanë ekzekutuar këtë të martë 37 persona, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmit të Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Brendshme të vendit, një nga të dënuarit u kryqëzua.

"Është zbatuar dënimi me vdekje për një numër kriminelësh, të cilët kishin përqafuar ideologjitë terroriste dhe kishin krijuar celula terroriste për të goditur sigurinë, si edhe për të shpërndarë kaos,” -thuhet në deklaratë,

Në njoftimin zyrtar jepen edhe emrat e shtetasve sauditë të cilët u ekzekutuan në pjesë të ndryshme të vendit.

Amnesty International reagoi para pak orësh duke evidentuar se 11 ndër të ekzekutarit ishin akuzuar dhe dënuar se kishin spinuar në favor të Iranit.

Kurse 14 të tjerë ishin akuzuar dhe dënuar për pjesëmarrje në demonstrata antiqeveritare shiite në vitin 2012.

Amnesty International tha gjithashtu se vitin e kaluar Arabia Saudite ekzekutoi edhe 149 persona të tjerë.

Arabia Saudite mban edhe nivelin më të lartë të dënimeve me vdekje në botë.

Në Janar të 2016-tës, autoritetet saudite, ekzekutuan 47 persona, mes të cilëve edhe liderin shiit, Nimr Al-Nimr, vdekja e të cilit u dha shtysë protestave që nga Pakistani deri në Iran, si dhe çoi gjithashtu, në bastisjen e Ambasadës Saudite në Teheran, e cila vijon akoma të jetë e mbyllur.

Të ekzekutuarit ishin akuzuar për terrorizëm dhe për ideologji esktremiste.