Transmetuar më 27-04-2019, 08:48

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, uron gjithë besimtarët me rastin e Pashkëve ortodokse, të cilat kremtohen të dielën.

Në urimin e tij, Janullatos thotë se ngjarja e ngjalljes së Krishtit ndriçon me dritë jetëprurëse tërë jetën njerëzore.

Më tej thotë se ngjallja forcon shpresën për të përballuar si fitimtarë çdo energji vdekjeprurëse që hidhëron jetën tonë.

“Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi! Le ta përmbledhim këtë përshëndetje ngjallësore me fjalët e apostullit të kombeve: “Edhe Perëndia i shpresës ju mbushtë me çdo lloj gëzimi dhe paqeje me anë të besimit, që të teproni në shpresë me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë” (Rom.16:13). Ose, duke e interpretuar lirisht me fjalët tona këtë varg: Perëndia i shpresës le të mbushë shpirtrat e të gjithëve me gëzim dhe paqe që burojnë nga besimi. Që, me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, të kemi shpresë të pashterur. Jo thjesht pak shpresë, por shpresë që të derdhet dhe të teprojë, që të mund t’ua ofrojmë edhe të tjerëve.

Dhe të gjitha këto, do të kryhen jo me anë të aftësive tona, por me praninë dhe hirin e Shpirtit të Shenjtë. Le të urojmë që, Zoti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur, Kreu i Kishës sonë, të na dhurojë neve dhe të tjerëve këtë shpresë të pafund paskale”, shprehet Janullatos. /a.y/noa.al