Transmetuar më 27-04-2019, 13:33

Ish-deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj në një intervistë është shprehur se vendi nuk mund të shkojë në në zgjedhje për të prodhuar një sistem të ri autokrat.

“Nuk mund të ketë zgjedhje pa qenë i përfaqësuar i gjithë spektri opozitar. Tentativa për ta bërë këtë, vetëm do të nxehte më tej gjakrat e do të nxiste konflikt qytetar. Detyra e opozitës është të sigurojë se do të garantohen të gjitha kushtet që vendi të hyjë në një proces zgjedhor demokratik, të lirë e të ndershëm” –shtoi Mehmetaj.

Ndërsa ka komentuar vazhdimin e protestave, theksoi se protestat masive janë pjesë kryesore e strategjisë së opozitës.

Ndërkaq Mehmetaj ka folur edhe mbi problematikën e punësimit në Shqipëri, ku theksoi se Rama do të mbahet mend si: “Kryeministri që mundi të mashtrojë pa njohur limite me premtime të pa mbajtura elektorale dhe të shpikë skema të rënda korruptive”.

1-Si e komentoni nxitjen dhe thirrjen që Ambasada Amerikane dha për cilindo kandidatë që të regjistrohen në zgjedhjet lokale?

Gjykoj që cdo nxitje për të marrë pjesë në zgjedhje ku partitë opozitare nuk janë të përfaqësuara dhe ku vota e lirë e qytetarëve nuk është e garantuar është vetëm një tentativë e dështuar për të mbajtur edhe pak më gjatë në këmbë regjimin kleptokratik që Edi Rama ka vendosur në Shqipëri. Personalisht kam pritur që përfaqësuesit e ambasadave në Shqipëri të jenë më tepër koherente me qëndrimet zyrtare që mbajnë qeveritë përkatëse. Në rastin konkret, Departamenti Amerikan i Shtetit ka folur qartë për përgjegjësinë e institucioneve shtetërore dhe të qeverisë në krijimin e kushteve të veprimit për organizatat e strukturuara kriminale. Raporti flet për nivelin e lartë të korrupsionit zyrtar dhe sundimin e dobët të ligjit. Gjithashtu thuhet se Shqipëria është kthyer në bazë operacionale për grupet e krimit të organizuar që veprojnë jo vetëm në Europë, por edhe në Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut. Si mundet në këto kushte të nxitet për pjesëmarrje artificiale në zgjedhje. Unë nuk dua në asnjë rast të besoj se Amerika, vendi lider i lirë dhe demokracisë, do e shtynte Shqipërinë drejt formimit të një diktature të re. Megjithatë, unë dëshiroj të besoj se fjalët që dëgjojmë nxitimthi nga përfaqësues të ndryshëm të trupës diplomatike në Shqipëri nuk janë rrjedhojë e tentativave lobiste të Ramës, por thjesht dhe vetëm pjesë e gjuhës së drunjtë që ata janë të detyruar të përdorin publikisht për të nxitur aktorët vendas të zgjidhin ngërcin e krijuar.

2-Holanda e mori vendimin për kthimin e vizave për shqiptarët por vulën e vë BE-ja. A rrezikon Shqipëria të kthehen në një vend të izoluar?

Unë kam patur mundësinë ta shpreh edhe më parë se vendimi qe mori parlamenti Hollandez për të rivendosur regjimin e vizave me Shqipërin është jo thjesht shqetësues por edhe tregues se izolimi ndaj vendit ka filluar. Nëse një prej vendeve kryesore anëtare flet sot për rivendosje vizash, hapja e negociatave nuk është më as temë diskutimi në tryezën e punës për Këshillin e BE. Arsyet e vendimarrjes së parlamentit Hollandez ishin të qarta, kriminaliteti në rritje dhe numri i madh i emigrantëve dhe azilkërkuesve. Shkaktarja kryesore e kësaj situare është pa asnjë dyshim qeveria dhe Kryeministri që e kanë udhëhequr vendin drejt kësaj rruge, ndaj sa më parë duhet të clirohemi nga kjo klikë që na ka kthyer së paku 20 vite pas. Izolimin që ndërkombëtarët i kanë bërë Edi Ramës nuk duhet ta vuaj Shqipëria. Ndaj i gjithë vendi është ngritur në protesta masive. Nëse duam ta shohim veten më afër anëtarësimit në BE duhet të ndërhyjmë menjëherë për të rivendosur rendin, për të rritur sigurinë dhe mbi të gjitha për tu kthyer shqiptarëve dëshirën për të jetuar e punuar në Shqipëri.

3-Vendimi final i PD-LSI është se s’ka zgjedhje pa u plotësuar kushtet për qeveri tranzitore. Si do të veprojë LSI-ja nëse zgjedhjet mbahen më 30 qershor?

Për rreth 50 vite komunizëm shqiptarët kanë votuar pa qenë të lirë të zgjedhin dhe vendosën me revoltë ta rrëzojnë ata sistem për të mos ju kthyer më kurrë. Sot qeveria duket sikur do të përsërisë historinë duke mbajtur me dhunë në këmbë një parlament monopartiak, jolegjitim. Kurrësesi vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje për të prodhuar një sistem të ri autokrat. Nuk mund të ketë zgjedhje pa qenë i përfaqësuar i gjithë spektri opozitar. Tentativa për ta bërë këtë, vetëm do të nxehte më tej gjakrat e do të nxiste konflikt qytetar. Detyra e opozitës është të sigurojë se do të garantohen të gjitha kushtet që vendi të hyjë në një proces zgjedhor demokratik, të lirë e të ndershëm.

4-Si e komentoni ndryshimin e formules se perfaqesimit te komisionit te reformes zgjedhore, ku nga 18 anëtare që perbehej me para, tani do të kete 10 anetare, 5 nga opozita, 5 nga mazhoranca?

Më duhet ta ritheksoj për lexuesit tuaj se Parlamenti nuk është më legjitim dhe asnjë prej vendimeve të dala prej tij nuk ka vlerë për qytetarët. Partitë e vërteta opozitare, të votuara ndër vite, që prej shkurtit vendosën të mos jenë më pjesë e farsës që ishte krijuar në parlament, ku opozita shërbente vetëm si fasadë për të mbuluar dhe legjitimuar zullumet e qeverisë. Marionetat që Edi Rama emëroi si deputetë të rinj opozitar thjesht vërtetojnë akoma më tej kauzën e opozitës. Të njejtin skenar që Kryeministri përdori për të deformuar nëpërmjet blerjes vullnetin e votuesve në zgjedhjet e 2017-ës, po përdor tani edhe me pseudo-opozitarët. Nuk besoj se vlen më, por për ata që kanë zgjedhur të bëhen pjësë e lojës së Ramës unë kam vetëm një koment: të tërhiqen! Këta mijëra qytetarë që protestojnë cdo ditë nuk do të harrojnë lehtë, opozitarët e stisur do i bëjnë po aq përgjegjës sa edhe Ramën për situtatën ku ndodhet vendi.

5-Sa janë plotësuar kërkesat e studentëve që nga protestat e janarit?

Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje protestën e studentëve, kërkesat e tyre të drejta dhe reagimin e qeverisë. Në dhjetor, së bashku me kolegen Kërpaci, depozituam në parlament në formën e amendimeve ligjore kërkesat e studentëve, si e vetmja garanci që ato të merrnin një zgjidhje. Mungesa e vullnetit të kësaj qeverie për tu shërbyer studentëve të këtij vendi, duket qartë nga numrat alarmantë të të rinjve që emigrojnë, nga numri i lartë i papunësisë në moshat e reja dhe madje edhe nga përcmimi që Kryeministri ka treguar ndaj tyre vazhdimisht. Është për të ardhur keq kur dëgjon Kryeministrin në vitin e gjashtë të drejtimit të qeverisë, të thotë publikisht se ska dëgjuar ndonjëherë për universitetet, për konviktet, për bibliotekat etj. “Pakti për Universitetin” ishte mashtrimi i rradhës i Kryeministrit, nga monitorimet që kanë bërë organizatat e të rinjve, qeveria ka harxhuar mijëra orë televizive për të reklamuar fletushka dhe pothuaj asnjë punë konkrete nuk është bërë. Studentët nuk kanë asnjë garanci për tarifat gjatë vitit të ardhshëm akademik. Tarifat e masterit nuk u përgjysmuan kurrë. Bursat në pjesën më të madhe të studentëve nuk jepen. Karta e studentit ende nuk është përgatitur, të mos flasim fare për biblioteka dhe laboratorë. Asgjë nuk është riparë sa i takon kurrikulës universitare apo kërkimit shkencor, përkundrazi protesta duket se u shfrytëzua mirë nga Kryeminstri për të marrë peng edhe arsimin e lartë duke cënuar rëndë të drejtën kushtetuese që universitetet kanë për të qenë autonom dhe të pavarur.

6-Si e shikoni nivelin e punësimit në Shqiperi, ku ne fushaten elektorale, qeveria e ka renditur si nje nder pikat kryesore?

Unë mendoj se historia do e gjykojë shumë Edi Ramën për kanabizimin që i bëri vendit dhe për kriminalitetin që mbolli. Ama, nga ana tjetër, besoj se ai do të shërbejë si rast i vecantë studimor se si një Kryeministër mund të mashtrojë pa njohur limite me premtime të pa mbajtura elektorale dhe të shpikë skema të rënda korruptive si PPP-të që i gjen tani në cdo sektor. Premtimi i Edi Ramës për 300 mijë vende të reja punë do të mbetet si barcoletë për shqiptarët, të cilëve gjatë qeverisjes së tij nuk u janë indeksuar as pagat e shtetit. Angazhimi i lartë i qytetarëve në protesta është ndër të tjera tregues kryesor i nivelit të lartë të varfërisë dhe papunësisë në Shqipëri. Edhe të vetpunësuarit në sektorin e bujqësisë, që përbëjnë rreth 50% të popullsisë, ose nuk po i mbjellin më tokat dhe kanë shitur bagëtitë, ose produktet u kalben e qumshti u shitet më lirë se uji. Numri i papunësisë ndër moshat e reja është më i larti në Europë sipas ILO dhe kjo rrjedhimisht tregon se ekonomia është paralizuar. Mjekët, inxhinierët, mësuesit etj, po largohen nga vendi. Biznesi i vogël ka falimentuar si pasojë e taksave të larta apo gjobave abusive. Në shoqërinë shqiptarët këto vitet e fundit është krijuar një handikap i frikshëm, ku ndoshta më pak se 10% e popullsisë janë shumë të pasur dhe pjesa tjetër vret mendjen se si do shtyjë muajin me para borxh apo me lista nëpër dyqane. Synimi kryesor i Lëvizjes Socialistë për Integrim është të nxjerrë vendin nga varfëria, ku objektiv është padyshim punësimi i të rinjve dhe kthimi i trurit në vend. Ne kemi një strategji të qartë për rivitalizmin e disa sektorëve të ekonomisë si bujqësia e turizmi dhe besojmë se potenciali më i madh që Shqipëria ka, janë pikërisht njerëzit, ndaj duhet investuar shumë në edukimin e brezave dhe kualifikimin e tyre profesional, ndryshe nga kjo qeveri që i përzuri dyerve të botës.

7-Diten e djeshme opozita se bashku me qytetarët bllokoi akset kryesore rrugore të vendit. Cili do te jete skenari tjeter qe do te ndiqni?

Vazhdimi i protestave masive është pjesë kryesore e strategjisë sonë, së bashku me alternativën opozitare për të cilën ne diskutojmë cdo ditë me qytetarët. Protestat do të vazhdojnë cdo jave, ato nuk janë të gjitha të thërritura nga partitë tona, por edhe nga vetë qytetarët të cilët përballen me problematika të mëdha në angazhimet e tyre të përditshme. Protesta e rradhës në Bulevard do të mbahet më datën 11 maj.

“Ne e kemi thënë, skenari i protestave nuk është më në dorën tonë, ato tani janë shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe janë ata vet që vendosin për rrjedhën e ngjarjeve”, deklaroi Mehmetaj.