Transmetuar më 29-04-2019, 22:29

Kancelarja gjermane Angela Merkel porositi që zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet “të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se nuk do të imponohet zgjidhje për Prishtinën dhe Beogradin.

“Nuk e kemi për qëllim të imponojmë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën. Ne dëshirojmë që të shqyrtojmë gjitha mundësitë, por edhe të shmangim tensionet e mundshme në rajon të cilat mund të ndodhin për shkak të opsioneve që janë në tryezë”, tha Macron.

Merkel dhe Macron përmendën Marrëveshjen për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si një shembull të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes vendeve të rajonit.

Në ndërkohë dy liderët e vendeve të fuqishme evropiane, Gjermanisë dhe Francës do të zhvillojnë një darkë pune të përbashkët me delegacionet nga Kosova dhe Serbia.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se në hapje të samitit ka bërë thirrje për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

”Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare. Edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në fjalën e tij, gjatë samitit ka theksuar se “diskutimet për ndarje etnike dhe kufij, hapin rrugë për tragjedi të reja në Ballkan dhe askush më mirë se ne, nuk i kupton përjetimet e para dy dekadave”.

“Kosova ka mandatuar delegacionin dhe ka miratuar platformën për fazën përfundimtare të procesit të dialogut me Serbinë, i cili do të rezultojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse që duhet të jetë ligjërisht e obligueshme, që rezulton me njohje reciproke, me Bashkimin Europian dhe ShBA-të si garantuese të kësaj zgjidhjeje”, ka thënë Haradinaj.

Më herët gjatë ditës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi iu tha gazetarëve se“Bashkimi Evropian është shumë i dobët dhe jo unik për të lëvizur gjërat përpara në Ballkan prandaj duhet përfshirja e Shteteve të Bashkuara”.

Delegacioni i Kosovës ka zhvilluar një takim edhe me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell.

Para se të fillojë Samiti i Berlinit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë takuar ndaras Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jetike që të ecim të gjithë përpara së bashku. E kemi përkrahjen e Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe tërë botës për ta arritur një marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë. Ne jemi të gatshëm të rifillojmë dialogun në Bruksel”, ka shkruar Thaçi në Facebook pas këtij takimi.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit me Mogherinin tha se duhet te ketë një zgjidhje kompromisi.

“Nëse askush nuk dëshiron kompromis dhe mendon se duke bërë presion mbi Serbinë atëherë vjen deri të zgjidhja këtu përfundon filmi”, u shpreh Vuçiq.

I pyetur për çështjen e ndryshimit të kufijve, Vuçiq tha se “kur bëhet fjalë për çështjen e ndryshimit të kufijve, pyetja ime është cilët kufij: ata që njohin Kombet e Bashkuara, Spanja apo Italia. Gjermania e njeh Kosovën si shtet, ndërsa Serbia nuk e njeh sikurse nuk e njohin Kina, Rusia, India. Pikërisht për këtë unë them se duhet gjetur një zgjidhje kompromisi", tha Vuçiq.

Vuçiq ka kërkuar sërish heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës si mundësi e vetme për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Samiti joformal i Berlinit shënon takimin e parë të drejtëpëdrejtë të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar kur bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u ndërprenë për shkak të vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës.