Transmetuar më 01-05-2019, 08:41

Shpesh njerëzit kalojnë në punë më shumë kohë se sa kalojnë në familje, prandaj është e rëndësishme që ata të jenë të kënaqur me punën e tyre. Pakënaqësia në vendin e punës ndikon direkt edhe në produktivitetin e të punësuarve. Për fat të keq vendet e Ballkanit janë më të pakënaqurit me punët e tyre aktuale. Ky është rezultati që ka nxjerrë Anketa e Cilësisë së Jetës nga Komisioni Europian, e cila është kryer në vendet anëtare të BE-së dhe kandidateve për t’u anëtarësuar.

Nga përgjigjet e të anketuarve në Shqipëri, niveli i kënaqësisë në punë është 6.8, ndërsa mesatarja e vendeve anëtare të BE-së është 7.4.

Kënaqësia në punë është më e ulët në Shqipëri për individët me të ardhura të ulët. Të ndarë sipas nivelit të të ardhurave ka rezultuar se individët me të ardhura të ulëta kanë një nivel kënaqësie 5, duke i bërë ata më të pakënaqurit e Europës, së bashku me grekët. Edhe individët e pyetur që i përkisnin nivelit të dytë të të ardhurave kanë shprehur nivel të ulët të kënaqësisë në punë, duke shënuar rekord në Europë. Në ndryshim, të pyeturit në vende të tjera, përfshirë edhe Greqinë kanë shprehur një nivel më të lartë kënaqësie. Kjo do të thotë se më pak të paguarit në Shqipëri nuk marrin kënaqësi nga punët aktuale ku janë, shkruan ‘monitor’.

Sipas gjinive, rezultatet e Anketës tregojnë se më të pakënaqur me punën e tyre aktuale janë burrat se sa gratë. Madje gratë në Shqipëri kanë raportuar një nivel më të lartë kënaqësie me punën e tyre aktuale se sa mesatarja e Bashkimit Europian.

Sipas grup moshës, më të pakënaqurit me punën aktuale janë individët që i përkasin grup moshës 35-49 vjeç.

Më të pakënaqurit në Ballkan

Rezultatet e anketës kanë treguar se më të pakënaqurit me punën e tyre aktuale janë vendet e rajonit, ku kryeson Greqia dhe Maqedonia, me një nivel kënaqësie 6.4. Mali i Zi dhe Turqia ka një nivel kënaqësie prej 6.6, ndërsa Shqipëria dhe Serbia 6.8.

Më të kënaqurit në Europën Veriore

Nivelin më të lartë të kënaqësisë me punën aktuale sipas  Cilësisë së Jetës e kanë vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore. Në vend të parë renditen Finlanda dhe Austria kur të anketuarit kanë dhënë një nivel kënaqësie me punën aktuale prej 8.1 dhe 8 në Danimarkë.