Transmetuar më 04-05-2019, 01:13

Një portret i Sulltan Sulejmanit I (Ligjbërësi), i cili mendohet të jetë vepër e një prej ndjekësve të piktorit të famshëm italian, Gentile Bellini, është shitur për 5 milionë e 323 mijë e 500 sterlina ose 6 milionë euro.

Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”, me seli në Londër, nxori në shitje të mërkurën koleksionin e titulluar “Artet e Botës Islame”.

Përmes një komunikate me shkrim, “Sotheby’s” bëri me dije se në mesin e 311 artikujve të nxjerrë në shitje në kuadër të ankandit të 1 majit, një portret i Sulltan Sulejmanit Ligjbërësit, i cili mendohet të jetë vepër e një prej ndjekësve të piktorit të famshëm italian, Gentile Bellini, është shitur për 5 milionë e 323 mijë e 500 sterlina.

Ky portret që supozohet të jetë pikturuar në vitin 1520, kur sulltani u ngjit në fronin otoman, sipas përshkrimeve të diplomatëve perëndimore që hynin e dilnin në sarajin osman, përpara ankandit vlerësohej rreth 250 mijë deri në 350 mijë sterlina.

Në një prononcim për mediat pak ditë më parë në lidhje me ankandin në fjalë, Alexandra Roy, eksperte e “Sotheby’s” për artin islam, pati sqaruar se portreti i Sulltan Sulejmanit I ishte një prej dy veprave më të çmuara që do të shiteshin të mërkurën.