Serbët në Beograd protestojnë kundër bukëpjekësit me përkatësi etnike shqiptare
Transmetuar më 06-05-2019, 01:07

Dhjetëra protestues u mblodhën të dielën të protestojnë kundër pronarit të furrës "Roma", në qytetzën Borça të Serbisë, afër Beogradit, që është cak i ultra-nacionalistëve serbë.

Bukëpjekësi, Mon Gjuraj, është me përkatësi etnike shqiptare dhe protestuesit kanë bërë thirrje që ta bojkotojnë dhe të mos blejnë produktet në furrën e tij.

Me pankarta “Nëse nuk ka respekt, nuk ka as vend pune” dhe flamuj serbë, protestuesit kanë marshuar pranë furrës së bukës në Borça.

Më 27 prill, një grup i serbëve ishin mbledhur në furrën e bukës duke brohoritur sllogane për Kosovën. Sipas raportimit të mediave lokale, ata kishin vendosur një kokë të derrit në veturën e tij dhe kishin ndaluar blerësit të hyjnë apo të dalin nga objekti.

Ky kundërshtim vie pas një fotografie të postuar më herët në Facebook, ku Gjuraj kishte bërë një shenjë kombëtare shqiptare me duar.

Organizatat joqeveritare dhe opozita në Beograd kishte dalur në përkrahje të bukëpjekësit.

Loading...
Loading...